MotoGP, Miller triumfon në Japoni; Bagnaia ‘dënon’ veten; Quartararo merr pikë të rëndësishme

Sport

Fabio Quartararo nuk shkoi më larg se sa vendi i tetë në garën e Japonisë, por francezi ia del të sigurojë pikë të rëndësishme në luftën për titullin kampion, duke parë renditjen e rivalëve të tij. Gara në pistën e Motegit ishte e mbushur nga emocionet sa i përket pilotëve që kërkonin podiumin edhe titullin, por vendi i parë nuk u vu në diskutim nga Jack Miller. Australiani fitoi garën e parë në këtë sezon të ‘MotoGP’, duke dominuar përgjatë gjithë garës, ndërkohë që Brad Binder ia doli të kalonte Jorge Martin për të marrë vendin e dytë, ndërkohë që spanjolli i skuadrës ‘Pramac’ u kënaq me shkallën më të ulët të podiumit. Marc Marquez e mbylli i katërti garën e rikthimit të tij në pistë, duke lënë pas vetes Miguel Oliveiran, Luca Marini, Maverick Vinales, Fabio Quartararo, Enea Bastianinin dhe Marco Bezzecchi, i cili mbyll 10-shen e parë. Vëmendja më e madhe ishte zhvendosur tek dueli për vendin e tetë, mes dy rivalëve kryesorë për të titullin kampion, Quartararo e Bagnaia. Piloti italian i Ducati-t kishte një ritëm më të mirë se sa kundërshtari i tij dhe po planifikonte një sulm final në xhiron e fundit. Por tamam atëherë kur pritej parakalimi nga ana e tij, Bagnaia humbi kontrollin e motorrit dhe përfundoi jashtë gare, duke i dhënë pikë të rëndësishme rivalit të tij, që thellon distancën në renditje pas garës së Japonisë. Nuk përfitoi dot as Aleix Espargaro, i cili bëri një nga garat e tij më të dobëta, duke e mbyllur vetëm i 16-i. Kampioni i botës në fuqi, Fabio Quartararo tani numëron 219 pikë në krye të renditjes për pilotë, duke udhëhequr me 18 pikë më shumë se sa ‘Peco’ Bagnaia. Aleix Espargaro mbetet në vendin e tretë me 194 pikë, ndërsa më i distancuar, me 170 pikë, është Enea Bastianini.