Serie A, Milan, Leao dëshiron qëndrimin; Maldini optimist për rinovimin

Sport

Rafael Leao mbetet ylli kryesor i Milanit të trajnerit Pioli, mirëpo portugezi nuk flitet më vetëm për atë se çfarë jep në fushën e lojës, por edhe për çështjen e kontratës së tij. 23-vjeçari ka nisur prej disa kohësh bisedimet për rinovimin me kampionët e Italisë, por deri më tani, agjenti i tij, Jorge Mendes nuk ka gjetur një marrëveshje. Kjo ka bërë që tifozët kquezi të shqetësohen, ndonëse Leao supozohet të qëndrojë tek Milani të paktën deri në qershorin e 2024-ës, sipas kontratës aktuale.

Duke parë precendentët e mëparshëm të largimeve të Donnarumma-s apo Kessie, tifozët kërkojnë që klubi të këmbëngulë për të plotësuar kushtet e Leaos e të sigurojnë rinovimin me të. Në lidhje me këtë çështje ka folur së fundmi drejtori i skuadrës, Paolo Maldini. Emblema kuqezi zbuloi se vetë lojtari u ka shprehur dëshirën për të vijuar karrierën e tij në radhët e Milanit dhe në një situatë të tillë, kjo është gjëja më e rëndësishme. Maldini u shfaq optimist, duke deklaruar se puna për rinovimin me Leaon po ecën intensivisht dhe gjasat janë që palët të gjejnë shpejt një marrëveshje të re. Një nga çështje që po ndikon në vendimet e Leaos është edhe çështja e hapur me Sportingun e Lisbonës, me sulmuesin që i detyrohet klubit portugez një shifër prej 16,5 milionë eurosh, si dëmshpërblim për prishjen e njëanshme të kontratës. Në total, bashkë me interesat, Leao duhet t’i paguajë Sportingut rreth 20 milionë euro. Maldini u shpreh se do të përpiqen të ndihmojnë Leaon me hapat që do të ndërmarrë, por klubi i Milanit nuk ka për të bërë asgjë në lidhje me Sportingun, duke thënë se është një çështje që i përket palëve të tjera.