MotoGP, Zarco flet për ‘dhuratën’ e Espargaro në Barcelonë; pranon se Aprilia ishte më mirë se ‘Pramac’

Sport

Ajo se çfarë ndodhi në Barcelonë me Aleix Espargaro do të jetë padyshim një nga momentet më të diskutuara të këtij sezoni në ‘MotoGP’, me spanjollin që humbi pikë të rëndësishme në luftën për titull ndaj Fabio Quartararo-s. Dy pilotët e skuadrës ‘Pramac’, Jorge Martin dhe Johan Zarco përfituan nga ajo ngatërresë e Espargaro për ta mbyllur në podium dhe francezi nuk ka harruar ‘të falenderojë’ pilotin e Aprilias për ‘dhuratën’ e bërë.

Zarco e pranoi se pavarësisht distancës së vogël mes tij, Martin dhe Espargaro, ishte e qartë se motori Aprilia kishte diçka më shumë se Ducati i ‘Pramac’. Piloti francez ishte i vetmi mes kryesuesve që kishte një gomë të fortë, me shpresën se kjo do ta ndihmonte të përfitonte ndaj rivalëve përpara tij, në momentin kur gomat e tyre, kryesisht të mesme, do të fillonin të konsumoheshin. Por si Quartararo me Yamaha, edhe Espargaro me Aprilia nuk e ulën në asnjë çast ritmin e tyre, duke e bërë të pamundur mbërritjen tek podiumi për Zarco. Ky i fundit shpjegoi se çfarë i shkoi nëpër mend kur pa Espargaro të ulte shpejtësinë në atë mënyrë.

“Fillimisht mendova se kishte një problem në motor dhe u ndjeva shumë me fat, sepse ndodhi në xhiron e fundit. Por kur Aleix ngritit duart si për të përshëndetur tifozët, e kuptova se çfarë po ndodhte realisht. Më vjen vërtet keq sepse ai kishte një ritëm shumë të mirë. Unë thjesht u përqëndrova në pistë dhe le të themi se mora një dhuratë të bukur.”

Kjo ishte hera e tretë në këtë sezon që Johan Zarco mbërrin në podium, pasi më parë e kishte realizuar diçka të tillë në Indonezi dhe Portugali. Piloti i ‘Pramac’ mban vendin e katërt në renditjen e përgjithshme për pilotë, me 91 pikë, 56 më pak se sa kryesuesi, Fabio Quartararo.