NBA, Denver dhe Memphis nuk gabojnë; Lakers ‘rrëzohen’ ndaj Sacramento Kings

Sport

Memphis Grizzlies kanë barazuar rekordin e klubit me 11 fitore radhazi në sezonin e rregullt, teksa mposhtën me rezultatin e ngushtë 115-114 Cleveland Cavaliers. Në një ndeshje mjaft të luftuar, ku asnjë skuadër nuk ia doli të siguronte një avantazh dyshifror, ishte Dillion Brooks që vulosi momentin më vendimtar të takimit. Në sekondat e fundit, Darius Garland provoi t’i jepte fitoren skuadrës së Cavaliers, por u tentativa e tij u bllokua që në nisje nga ana e Brooks. Shënuesit më të mirë për Memphis ishin Desmond Bane me 25 pikë dhe Ja Morant me 24, ndërkohë që në mungesë të Donovan Mitchell, më të dalluarit tek Cleveland ishin Darius Garland me 24 pikë dhe Caris LeVert me 23.

Grizzlies gjithësesi nuk e shijojnë dot kreun e renditjes në ‘Konferencën e Perëndimit’, pasi edhe ata të Denver Nuggets nuk kanë gabuar në ndeshjen e radhës. Të udhëhequr nga Nikola Jokic, që kompetoi një tjetër ‘triple-double’ me 31 pikë, 11 ribaunde e 12 asiste, Nuggets fituan me përmbysje 122-118 ndaj Minnesota Timberwolves. Veç Jokic, vendimtar për Denverin në minutat e fundit të lojës ishte edhe Jamal Murray, i cili e mbylli ndeshjen me 28 pikë.

Tjetër humbje për Los Angeles Lakers, që u ndalën në shtëpi nga Sacramento Kings me rezultatin 111-116. Kalifornianët e nisën lojën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke regjistruar një avantazh prej 11 pikësh deri në fundin e periodës së parë. Por ata të Kings reaguan menjëherë dhe duke u mbështetur tek De’Aaron Fox, ia dolën të siguronin përmbysjen. Fox ishte shënuesi më i mirë për Kings me 31 pikë, ndërkohë që 32 pikët e LeBron James vlejnë vetëm për objektivin e yllit të Lakers, për të arritur rekordin e Kareem Abdoul-Jabbar.

Fitore me peshë arritën ata të Utah Jazz, që mposhtën me rezultatin e thellë 126-103 Los Angeles Clippers. Miami dominoi 124-98 ndaj New Orleans, ndërkohë që Atlanta Hawks triumfoi 130-122 Dallas Mavericks. Indiana u ndal 126-106 nga Oklahoma, ndërkohë që New York Knicks u mposhtën 105-116 Washington Wizards.