NBA, Giannis fiton përballjen me Lillard; Thompson udhëheq Warriors

Sport

Giannis Antetokounmpo dhe Milwaukee Bucks nuk kanë ndërmend të ndalen. Skuadra me formën më të mirë në NBA për momentin vazhdon rrugën e fitoreve, duke mposhtur këtë herë në transfertë Portland Trail Blazers me rezultatin 127-108. Giannis fiton duelin me yllin e Portland, Damian Lillard, i cili edhe pse ishte shënuesi më i mirë i takimit me 28 pikë, nuk ia doli të shmangte disfatën. Ndërsa lideri i Bucks e mbylli takimin me 24 pikë, 13 ribaunde e 8 asiste, me Brook Lopez që ishte shënuesi më i mirë i ekipit nga Wisconsin me 27 pikë.

Në mungesë të Steph Curry, Golden State Warriors kanë gjetur liderin e tyre tek Klay Thompson, që përballë Oklahoma City Thunder, i dha fitoren kampionëve në fuqi të NBA me rezultatin 141-114. Klay shënoi plot 42 pikë, me një rekord sezonal prej 12 gjuajtjesh të sakta nga linja për 3. Ndeshje të mirë bëri edhe Jordan Poole, me 21 pikë e 12 asiste, ndërkohë që për Oklahoman, më i dalluari ishte sërish Gilgeous-Alexander, me 20 pikë të shënuara.

Fitore të rëndësishme kanë marrë edhe ata të Los Angeles Clippers, që mposhtën 124-116 në transfertë Brooklyn Nets. Me Kyrie Irving tashmë të larguar dhe Kevin Durant të dëmtuar, njujorkezët kanë parë më të mirën e të riut Cam Thomas, i cili regjistroi ndeshjen e dytë radhazi me të paktën 40 pikë të shënuara. Thomas regjistroi një rekord karrierë me 47 pikë, por që vlejnë vetëm për statistikat e tij personale. Paul George me 29 pikë dhe Kaëhi Leaonrd me 24, menaxhuan më së miri këtë takim për Clippers, të cilët patën avantazhin përgjatë gjithë lojës.

Në takimet e tjera, Dallas Mavericks mposhtën 124-111 Utah Jazz, në një ndeshje ku teksanët luanin pa Luka Doncic e po ashtu janë ende në pritje të Irving. Chicago Bulls vazhdojnë të përmirësojnë shifrat e tyre, pasi triumfuan 127-104 ndaj San Antonio Spurs. Washington Wizards u dorëzuan 91-114 përballë Cleveland Cavaliers, në një sfidë të dominuar nga skaudra nga Ohio që nga perioda e parë.