NBA, Houston triumfon ndaj rivalëve të Lakers, Clippers rikthehet tek fitorja

Sport

Los Angeles Lakers duket se e kanë marrë më shtruar se sa duhet rikthimin në parket. Kryesuesit e ‘Konferencës së Perëndimit’ morën një tjetër humbje, pasi u mposhtën 113-97 nga teksanët e Houston Rockets. Të dyja skuadrat vinin me mungesa të rëndësishme në këtë takim. Lakers luanin pa liderin e skuadrës, LeBron James, ndërkohë që tek Rockets mungonte Russell Westbrook. Kështu, e gjithë vëmendja ishte tek dueli me Anthony Davis dhe James Harden, që kësaj radhe u fitua nga ylli i skuadrës teksane. Harden ishte lojtari më i mirë i ndeshjes. Madje, ‘the Beard’ ishte pranë realizimit të një ‘triple-double’-i, me 39 pikë, 12 asiste dhe 8 rikuperime të topit nën tabelë. Ndërsa Anthony Davis i Lakers u ndal në 17 pikë dhe 12 rikuperime të topit nën tabelë, teksa shënuesi më i mirë për skuadrën kaliforniane ishte Kyle Kuzma me 21 pikë. Kjo ishte humbja e tretë në katërt ndeshjet e fundit për Lakers, ndërkohë që Houston për momentin ka rrëmbyer vendin e katërt në ‘Konferencën e Perëndimit’ ku vijon betejën me Utah Jazz dhe Oklahoma City Thunder.

Është rikthyer tek fitorja ndërkohë skuadra tjetër e Los Angeles, Clippers, të cilët mposhtën 126-111 një kundërshtar mjaft të fortë si Dallas Mavericks. Pavarësisht se dyshja e Dallas, Porzingis dhe Doncic ishin shënuesit më të mirë të ndeshjes, tek Clippers ishin plot 4 lojtarë që shënuan mbi 15 pikë, çfarë rezultoi vendimtare në fatin e takimit. Porzingis realizoi 30 pikë, 5 asiste dhe 9 rikuperime të topit nën tabelë, ndërkohë që Doncic kësaj radhe nuk shkoi më shumë se shënimi i 29 pikëve. Nga ana tjetër, Kawhi Leonard dhe Paul George realizuan së bashku 53 pikë, ndërkohë që kroati Zubac ishte vendimtar me 21 pikë dhe 15 rikuperime të topit nën tabelë. Fitore të rëndësishme mori edhe skuadra e Portland Trail Blazers, që mposhtën 125-115 ekipin e Denver Nuggets.