NBA, Irving ka gati një listë dëshirash për transferimin, nëse nuk gjen një akord me Nets

Sport

Kyrie Irving mbetet një ndër emrat më të përfolur të kësaj vere në NBA. Ylli i Brooklyn Nets vijon të qëndrojë në heshtje sa i përket të ardhmes së tij, duke ngritur jo pak pikëpyetje edhe mbi projektin e skuadrës njujorkeze. 30-vjeçari ka mundësinë të aplikojë opsionin për ta rinovuar automatikisht edhe për një vit kontratën e tij me Nets, nga ku do të përfionte rreth 37 milionë dollarë, por për momentin, diçka e tillë nuk ka ndodhur. Drejtuesit e Brooklyn janë të gatshëm të bisedojnë për një marrëveshje të re, afatgjatë, por Irving duket se synon të luajë diku tjetër. Mediat amerikane raportojnë se 30-vjeçari ka përgatitur edhe një listë të skuadrave ku do të donte të luante dhe bëhet fjalë për klubi si LA Lakers, LA Clippers, New York Knicks, Miami Heat, Dallas Mavericks dhe Philadelphia 76ers.

Por për momentin asnjë nga këto klube nuk e ka hapësirën financiare në buxhet për të investuar tek një lojtar si Irving, që kërkon një kontratë të majme, pasi konsiderohet si një ndër lojtarët më të mirë në botë. Në kushte të tilla, Irving do ta kishte të vështirë të transferohej diku tjetër si lojtar i lirë. Por gjërat do të ndryshonin nëse ‘uncle Drew’ do të firmoste një marrëveshje fillestare me Nets dhe më pas të kërkonte një shkëmbim. Për Nets, duket se çdo gjë po del jashtë kontrollit. Mes lajmeve se Irving mund të largohet, tashmë është edhe Kevin Durant që nuk sheh ndonjë arsye për të vijuar qëndrimin në Brooklyn, në rast se miku i tij i ngushtë, që për më tepër është edhe njeriu që e shtyu të shkonte tek Nets, do të vendoste të largohej.