MotoGP, Bagnaia dominon në Assen; Aleix Espargaro ‘rindez’ luftën për titull

Sport

Ashtu siç pritej, gara e ‘MotoGP’ në pistën e Assen ka dhuruar spektakël dhe emocione deri në metrat e fundit. Francesco Bagnaia ia doli të triumfonte në një garë që u dominua gjatë gjithë kohës nga piloti italian, duke marrë një fitore që vlen jo pak për 25-vjeçarin, që kërkon t’i japë një tjetër drejtim sezonit të tij. Ky triumf vlen akoma më shumë kur merret në konsideratë fakti që kampioni i botës në fuqi dhe lideri i renditjes së përgjithshme, Fabio Quartararo, nuk ia doli ta mbyllte garën. Francezi bëri një nisje shumë të dobët dhe e pa veten të duelonte me pilotin që e ndjek më pranë sa i përket renditjes, Aleix Espargaro. Spanjolli i Aprilia-s kishte diçka më shumë se sa Quartararo, me këtë të fundit që kërkoi ta parakalonte rivalin në një situatë mjaft të vështirë. Të dy patën kontakt dhe përfunduan jashtë trajektores, edhe pse më pas do t’ja dilnin të riktheheshin në pistë. Espargaro humbi shumë pozicione për shkak të këtij episodi, teksa Quartararo do të mbyllte përfundimisht garën vetëm disa metra më vonë, kur motori Yamaha nuk iu bind manovrave të francezit.

Podiumi do të plotësohej nga dy pilotë surprizë, që ishin të vetmit që kërkuan t’i qëndronin ritmit të Bagnaia-s. Vendi i dytë shkoi për Marco Bezzecchi me motorin ‘VR46’, ndërsa Maverick Vinales siguroi podiumin e parë si një pilot i Aprilia-s. Por në fund, duelet më të ndezura ishin ato mes Aleix Espargaro, Brad Binder dhe Jack Miller. Deri në 3 kthesa nga fundi, Miller mbante vendin e katërt, por një lëvizje e jashtëzakonshme e Espargaro, bëri që piloti Aprilia-s të kalonte njëherësh të dy kundërshtarët e tij, duke marrë ‘pikë të arta’ sa i përket luftës për titullin kampion. Quartararo mbetet në krye, në kuotën e 172 pikëve, ndërsa Espargaro ndjek me 21 pikë më pak. Vendi i tretë vijon të mbahet nga Zarco me 114 pikë, ndërsa më të distancuar janë Francesco Bagnaia dhe Enea Bastianini.