Gola e kartonë të kuq shqiptarë në “derbin” Rrahmani-Balaj

Sport

491878740.jpg

Gola, por edhe karton i kuq me protagonist një lojtar shqiptar në sfidën e vlefshme për kampionatin kroat, midis RNK Splitit dhe Rijekës, të përfunduar me rezultatin 1-2 për miqtë.
Pas avantazhit fillestar të Rijekës ishte Amir Rrahmani, i cili barazoi shifrat. Mbrojtësi dërgoi topin në rrjetë, pasi u gjend në zonë si rrjedhojë e një goditjeje këndi.
Vetëm në minutën e 62-të hyri në fushë Bekim Balaj, duke arritur të lërë menjëherë shenjën e tij pas 10 minutash, me golin që shpërbleu ngulmimin e tij, pas në tentativën e parë me kokë u bllokua nga mbrojtësit. Ra në sy edhe festimi i vakët, shenjë e pakënaqësisë nga mosaktivizimi si titullar. Por vetëm pas dy minutave nga goli, për shkak se nuk iu bind vërshëllimës së gjyqtarit për një faull, u ndëshkua për herë të dytë në harkun e 300 sekondave me karton të verdhë, duke lënë skuadrën në inferioritet numerik pas vetëm 13 minutave lojë. Por fatmirësisht nuk cenoi fitoren e Rijekës, që kështu mbetet në garë për titull, ndërsa, Spliti ndodhet në vendin e katërt me 36 pikë.
Ndërkohë në Francë kanë luajtur edhe dy shqiptarë të tjerë, Lorik Cana e Emir Leanjani, që pas 120 minutave janë eleminuar nga çerekfinalet e Kupës përballë Sosho. Shifrat 3-2 sollën humbjen e parë nga 21 nëntori për skuadrën e Nantë, megjithëse 90 minutat e rregullta përfunduan me rezultatin 1-1.