Serie A, Milan rikthen emrin e Milenkovic për mbrojtjen, teksa vijojnë kontaktet për Asension

Sport

Me Sven Botman që i është drejtuar një transferimi tek Neëcastle, për mbrojtjen e Milanit tani nevojitet të punohet mbi emra të tjera. Shtatlarti holandez pritet të zyrtarizohet shumë shpejt si pjesë e Neëcastle nga sezoni i ardhshëm, duke i dhënë fund pritjes së arritjes së një marrëveshjeje mes Lille dhe Milanit. Kuqezinjtë tani janë duke shqyrtuar emrat e tjerë në dispozicion dhe veç Bremer e Acerbi, në skenë është rikthyer edhe Milenkovic. Qendërmbrojtësi i Fiorentinës ka qenë edhe më parë në radarët e kampionëve të Italisë, por tani, mudnësitë duken më reale për ta bërë realitet një lëvizje të tillë. Për momentin nuk ka ende diçka konkrete, por Maldini e Massara do të jenë të gatshëm të hyjnë në bisedime me Fiorentinën për të mësuar edhe pretendimet e violëve rreth kartonit të 24-vjeçarit. Duke parë faktin që Milenkovic ka një kontratë që supozohet të skadojë në qershorin e vitit të ardhshëm, tek skuadra violë janë të detyruar të pranojnë edhe një ulje të ndjeshme të çmimit, për të mos e humbur me parametra zero në fundin e sezonit të ardhshëm. Përgjatë 2021/22-shit, Nikola Milenkovic ka qenë një element shumë i rëndësishëm për Fiorentinën e trajnerit Italiano, duke luajtur 34 ndeshje si titullar.

24-vjeçari ka pikërisht ato karakteristika që kërkojnë Maldini e Massara, prandaj serbi mbetet një alternativë interesante për kampionët e Italisë. Sa i përket sulmit, kanë nisur kontaktet e para zyrtare me Real Madrid sa i përket kartonit të Marco Asensio. Spanjolli prej kohësh përflitet se është në listën e dëshirave të trajnerit Stefano Pioli, pasi mund të mbulojë si duhet problemet që kuqezinjtë kanë shfaqur në krahun e djathtë të sulmit. ‘Los blancos’ pretendojnë rreth 35 milionë euro për të lënë të lirë Asension, shifër që tek Milani nuk e shohin të ekzagjëruar, duke parë karakteristikat e lojtarit. Vetë Asensio duket se e preferon më shumë një kalim tek kuqezinjtë se sa diku tjetër, pasi ka të garantuara minuta, mirëpo duhet të ulë pretendimet e tij për një pagë prej 6 milionë eurosh, pa llogaritur bonuset. Alternativa të tij janë emra si De Ketelaere, Noa Lang apo Hakim Ziyech, i cili në orët e fundit është përfolur shumë për një kalim në formë huazimi tek kampionët e Italisë.