NBA, Memphis shkatërron Milwaukee-n dhe merr kryesimin e renditjes

Sport

Memphis Grizzlies kanë zhvilluar një ndeshje të jashtëzakonshme ndaj një prej skuadrave që konsiderohet si ndër më të mirat e këtij sezoni të rregullt. Të udhëhequr nga Ja Morant, Grizzlies shkatërruan me rezultatin e thellë 142-101, Milwaukee Bucks. Edhe pse luanin me Giannis Antetokounmpo e Khris Middleton që nga fillimi, Bucks vuajtën të ruanin ritmin e kundërshtarëve. Memphis siguroi një avantazh prej plot 29 pikësh brenda pjesës së parë, me Ja Morant që nuk ndalej së shënuari. Ylli i Grizzlies kompletoi një ‘triple-double’ brenda periodës së tretë, diçka që nuk kishte ndodhur më parë në historinë e skuadrës. 25 pikë, 10 ribaunde e po aq asiste ishin shifrat e Morant. Grizzlies kështu kanë marrë me këtë të triumf kreun e renditjes në ‘Konferencën e Perëndimit’, duke shfrytëzuar si duhet humbjen e New Orleans Pelicans.

Skuadra e trajnerit Green u mposht në kohën shtesë 132-129, në një ndeshje mjaft të luftuar ndaj Utah Jazz. Të dyja ekipet mund ta kishin mbyllur diskutimin brenda kohës së rregullt, por pa finalizuar si duhet. Jordan Clarkson arriti një rekord sezonal me 39 pikë të shënuara, duke qenë lideri i Utah në këtë përballje. Ndeshje të mirë bëri edhe Lauri Markkanen me 31 pikë, teksa ishte i rëndësishëm në momentet më vendimtare të takimit. Trey Murphy, me një gjuajtje të saktë për 3 e dërgoi ndeshjen në shtesë, por Pelicans shfaqën lodhje, me Zion Williamson që u ndal tek kuota e 31 pikëve.

Miami Heat kanë marrë një fitore me peshë ndaj Houston Rockets, 111-108, në një takim rekordesh për Tyler Herro. Talenti i skuadrës së Heat shënoi një rekord karriere prej 41 pikësh, teksa ishte i saktë në 10 gjuajtje nga përtej harkut, duke u bërë lojtari i katërt i Miami që realizon diçka të tillë. Ndërsa Phoenix Suns triumfuan 111-95 kundër Los Angeles Clippers, në një ndeshje ku kalifornianët vinin pa Kawhi Leonard apo Paul George. Ata të Phoenix e shfrytëzuan mjaft mirë këtë gjë, duke siguruar një avantazh prej 25 pikësh brenda pjesës së parë. Mikkal Bridges ishte shënuesi më i mirë me 27 pikë, ndërkohë që shkëlqeu edhe Chris Paul, me 15 pikë, 7 ribaunde e 13 asiste.