NBA, Miami e nis si duhet serinë e finaleve; fiton sfidën e parë ndaj Boston

Sport

Miami Heat kanë respektuar pritshmëritë dhe kanë triumfuar në takimin e parë të serisë së finales së ‘Konferencës së Lindjes’ kundër Boston Celtics. Në një ‘FTX Arena’ të mbushur plot, Miami fitoi 118-107, në një takim që pa avantazhin të ndryshonte disa herë drejtim. Loja nisi shumë mirë për Celtics, që do të hasnin në përgjigjen e Miami-t vetëm në fundin e periodës së parë, pas futjes në lojë nga stoli të Tyler Herro.

Edhe perioda e dytë foli më shumë për Celtics, që gjithësesi shfaqën problemet që vinin nga mungesat e rëndësishme të Al Horford dhe Marcus Smart. Në fundin e pjesës së parë, të besuarit e trajnerit Ime Udoka kishin një avantazh prej 8 pikësh. Por gjithçka ndryshoi në periodën e tretë. Miami u rikthye në parket për pjesën e dytë me një ritëm tjetër, duke dalë në lojën e vet dhe duke dominuar ndaj Celtics. Rezultati i pjesshëm i kësaj pjese të lojës do të ishte 39-14 në favor të Miami-t dhe këtu, shumë probleme mund t’i faturohen trajnerit Udoka. Tekniku 44-vjeçar nuk e kishte lënë Jayson Tatum të pushonte thuajse as 1 minutë dhe ylli i Celtics shfaqi shenja lodhjeje. Jimmy Butler përfitoi dhe brenda periodës së tretë, siguroi 3 steals ndaj tij. Boston u përpoq të reagonte në periodën e katërt, por ishte shumë vonë për t’i dhënë një tjetër drejtim kësaj sfide, që shkon në favorin e Heat.

Jimmy Butler e mbylli si lojtari më i mirë në parket, me 41 pikë të shënuara, 9 ribaunde, 5 asiste, 4 steals dhe 3 blloqe. Një paraqitje prej ‘MVP’-je për liderin e Miami-t, që i jep kështu skuadrës së trajnerin Spoelstra avantazhin e serisë. Tek Boston, Jayson Tatum ishte ai që shënoi më shumë se të tjerët, me 29 pikë, por pati një kontribut të rëndësishëm edhe me 8 ribaunde e 6 asiste, që gjithësesi vlejnë vetëm për statistikat e tij personale.