Jose Mourinho paralajmëron për një merkato ‘të vakët’ gjatë verës

Sport

Tottenham po kalon një moment mjaft të vështirë gjatë këtij sezoni, pasi skuadra londineze ka vuajtur mungesat e rëndësishme në sulm. Por pavarësisht problemeve që ka hasur në organikën e ekipit, trajneri Jose Mourinho është shprehur në konferencën e fundit për shtyp se klubi nuk ka nevojë të bëjë ndryshime të mëdha në merkato. Portugezi tha se për momentin është mëse i kënaqur me paraqitjen që kanë zhvilluar dy blerjet e janarit, Gedson Fernandes dhe Steeven Bergwijn, të cilët kanë fituar edhe besimin e tifozëve. Sipas Mourinhos, e vetmja pengesë për të dhe skuadrën janë dëmtimet e shumta, sidomos një fazë të sezonit ku është i nevojshëm kontributi i të gjithëve.
I pyetur nëse do të kërkojë një mesfushor për të zëvendësuar Christian Eriksen, i larguar në Janar drejt Inter, Mourinho u përgjigj se nuk e sheh të nevojshme diçka të tillë.
Sipas tij, Gedson Fernandes është përmirësuar ndjeshëm dhe 21-vjeçari ka filluar të përshtatet si duhet me ‘Spurs’-at, çfarë për Mourinhon është diçka me rëndësi për sezonin e ardhshëm. Megjithatë, ai nuk përjashtoi blerjen e një apo dy lojtarëve, në mënyrë që të ketë alternativa edhe në stol. Portugezi nuk kërkon të përballet me një situatë të ngjashme me këtë aktualen, ku të dy sulmuesit qëndrorë të skuadrës, Kane dhe Son janë të dëmtuar dhe atij i duhet të improvizojë. Gjithësesi, tekniku 57-vjeçar i ka idetë e qarta për merkaton e ardhshme, ndërsa për momentin mbetet i përqëndruar tek arritja e objektivave të skuadrës në sezonin aktual.