NBA, Sacramento i dorëzohet Miami-t; Knicks rikthehen tek fitorja

Sport

Sacramento Kings kanë marrë një humbje të papritur në shtëpi, teksa u mposhtën 110-121 nga skuadra e Miami Heat. Duke qenë se këta të fundit vinin pa shërbimet e yllit të tyre kryesor, Jimmy Butler, Kings shiheshin si favoritë absolutë për të triumfuar. Vendasit patën avantazhin vetëm në periodën e parë, pasi gjërat më vonë folën në favor të ekipit të trajnerit Spoelsta. Miami bëri diferencën  në periodën e tretë, që e fitoi me rezultatin e pjesshëm 36-19. Bam Adebayo ishte ai që i udhëhoqi në këtë përballje, me 28 pikë të shënuara, 10 ribaunde e 7 asiste. Ndeshje të mirë bëri edhe Jaquez Jr me 26 pikë, ndërkohë që tek Sacramento, më të mirët ishin Keegan Murray me 28 pikë dhe De’Aaron Fox me 27. Tjetër ‘triple-double’ për Domantas Sabonis me 14 pikë, 14 ribaunde e 10 asiste, por që vlejnë vetëm për statistikat personale të lituanezit.

Rikthehen tek fitorja ata të Ne2 York Knicks, që pavarësisht mungesave të shumta, u frymëzuan nga Jalen Brunson për një triumf 113-111 ndaj Detroit Pistons. Një takim i vuajtur ky nga lojtarët e trajnerit Thibodeau, që arritën të siguronin fitoren vetëm në sekondat e fundit, ku pas një këmbënguljeje të gjatë, Josh Hart ia doli të finalizonte si duhet. Hart do të realizonte edhe gjuajtjen e lirë, duke me 23 pikë, 8 ribaunde e 6 asiste në total. Më i miri për New York Knicks ishte gjithësesi Jalen Brunson, që realizoi 35 pikë e 12 asiste.

Humbje e pamenduar edhe për Indiana Pacers, që e panë veten të mundur në shtëpinë e tyre, 122-130 nga Toronto Raptors. Takimi me ish-skuadrën e tij nuk rezultoi ashtu siç Pascal Siakam e kishte menduar, ndonëse kamerunasi shënoi plot 27 pikë. Shoku i tij i skuadrës, Bennedict Mathurin ishte më i dalluari me 34 pikë, por që nuk e shmangën këtë humbje të skuadrës së Pacers, të cilët vuajtën edhe paraqijten e dobët të Tyrese Haliburton, me vetëm 9 pikë të shënuara.

Pas 4 humbjeve radhazi, rigjejnë fitoren edhe atë të Brooklyn Nets, që mposhtën pa shumë telashe, 111-86 në transfertë, skuadrën e Memphis Grizzlies.