NBA, Warriors rinovojnë me Poole dhe Wiggins; situata me Green kalohet pa ndëshkime

Sport

Paraqitjet e shkëlqyera përgjatë sezonit të kaluar të NBA dhe sidomos performancat e bëra në ‘Finalet’ e mëdha kundër Boston Celtics, kanë bërë që tek Warriors të zgjasin edhe më tej kontratat me Jordan Poole dhe Andrew Wiggins. Të dy lojtarët mendohet të jenë mjaft të rëndësishëm në të ardhmen e klubit, pasi tek këta dy emra do të mbështeten edhe projekti i Golden State, pas largimit nga sporti i Steph Curry apo Klay Thompson. Andrew Wiggins ka firmosur një kontratë 4-vjeçare me kampionët e NBA, nga ku do të përfitojë në total rreth 109 milionë dollarë. Në këtë marrëveshje përfshihet edhe e drejta e rinovimit me një vit tjetër, në rast se lojtari do ta dëshirojë diçka të tillë dhe që do ta çonte vlerën e kontratës së kanadezit në 143 milionë dollarë. Më herët, skuadra nga San Francisco lajmëroi edhe rinovimin e kontratës me Jordan Poole. I përzgjedhur i 28-i në ‘Draft’-in e 2019-ës, Jordan Poole ia doli të fitonte besimin e trajnerit Steve Kerr, duke u kthyer në një element të rëndësishëm për Warriors. Poole firmosi një kontratë 4-vjeçare, nga ku do të përfitojtë në total 140 milionë dollarë. Rinovimi me 23-vjeçarin vjen vetëm pak ditë pas përplasjes së ashpër që ai pati gjatë një seance stërvitore me veteranin e skuadrës, Draymond Green. Përplasja shkoi deri tek përdorimi i grushteve, por mesa duket drejtuesit e Warriors kanë ditur të zgjidhin gjithçka. Green, në mënyrë të çuditshme ia ka hedhur pa ndonjë ndëshkim serioz, ndërsa Poole mund të jetë mëse i lumtur me rinovimin e kontratës, ku përfiton edhe një rritje të ndjeshme të pagës së tij. Por me rinovimet e kontratës së Poole e Wiggins, Warriors shohin që shpenzimet e këtij viti, duke llogaritur edhe taksat, të kapin shifrën e 483 milionë dollarëve. Kjo është një shifër e paprecedentë në historinë e NBA, por që tek skuadra nga San Francisco kanë vendosur të ecin përpara dhe ndryshimet e mundshme për të rregulluar bilancet, mund të vijnë vetëm në fundin e sezonit të ardhshëm.