Ndryshe nga të gjithë, Pele vlerësoka vetëm këtë cilësi të Messit!

Sport

pele messi
I konsideruar shpeshherë si lojtari më i mirë i të gjitha kohërave në futboll, Pele mbetet ende një ikonë e këtij sporti. Por legjenda e Brazilit i ka habitur të gjithë me deklartën e tij të fundit, ku thotë se Lionel Messi ka vetëm një cilësi më të mirë se të tjerët, e që për të nuk duhet konsideruar si më i miri në botë. Sipas Pele, futbolli përgjatë historisë ka prodhuar lojtarë më të jashtëzakonshëm se argjentinasi. Pele ka deklaruar se 31-vjeçari është “njëdimensional” dhe shumë i varur nga këmba e tij e majtë për t’u krahasuar me figura të tjera ikonike në krye të futbollit botëror. Sigurisht që aftësia për të luajtur me këmbën e majtë është e një niveli të jashtëzakonshëm, por që nuk mjafton për t’u konsideruar si më i miri.

lionel messi

Veç vetes së tij, legjenda e ‘Seleçao’-s thotë se Messi nuk mund të krahasohet as me emra si Maradona, Beckenbauer apo Johan Cruyff, që për të janë lojtarë shumë më të mëdhenj se numri 10 i Barcelonës. Messi numëron gjatë karrierës së tij, pesë “Topa të Artë”, nëntë tituj të La Liga-s, katër trofe të ‘Champions League’ dhe tre Botërorë për Klubet. Duket se dështimet e njëpasnjëshme me Argjentinën në ‘Kupën e Botës’ apo edhe ‘Copa America’, kanë bërë që jo të gjithë të binden për vlerat e tij në botën e futbollit.