Ndryshon situata e Bernardo Silva dhe Kyle Walker tek Manchester City

Sport

Ka nisur të marrë tjetër rrjedhë situata e Bernardo Silva dhe Kyle Walker tek Manchester City. Të dy lojtarët në fjalë, i kishin valixhet gati për t’u larguar nga “Etihad”, por mesa duket, kanë bërë një kthesë 180 gradë. Sikurse raportojnë mediat në ishull, mesfushori dhe mbrojtësi pritet që në ditët në vijim, të rinovojnë kontratat përkatëse me klubin kampion të Europës dhe të Anglisë.

Duke marrë parasysh largimet e Ilkay Gundogan dhe Riyad Mahrez, drejtuesit e klubit, përfshirë këtu edhe trajnerin Pep Guardiola, kanë nisur të marrin masat, që Silva dhe Walker të mos ndjekin të njëjtën rrugë.

Për portugezin Bernardo Silva, telenovela ka qenë e gjatë. 28 vjeçari e ka shprehur dëshirën për t’u larguar, plot një vit më parë. Megjithatë, Pep e bindi fantazistin të qëndronte në “Etihad” dhe për këtë, Bernardo nuk do të pendohet, sepse sezoni që pasoi rezultoi një sezon ëndrrash, duke fituar titullin e Champions League, kampionatin dhe Kupën e Anglisë.

Thashethemet e largimit të ish-futbollistit të Monacos nuk u larguan as këtë verë, teksa Barcelona u interesua në distancë për të, por klubi katalanas e kishte të vështirë të ofronte një paketë bindëse, edhe për shkak të problemeve financiare që ndodhet për një kohë të konsiderueshme.

Sa i përket situatës së Walker, për anglezin, u interesua Bayern Munich. Tekniku Thomas Tuchel donte ta kishte britanikun pjesë të organikës së tij. Anësori i prapavijës ishte i dyzuar në këtë mes, pasi tundohej nga një transferim në Gjermani.

Megjithatë, diçka e tillë nuk do të ndodhë. Si Bernardo Silva, ashtu edhe Kyle Walker nuk do të largohen nga Manchester City, por po bëhen gati për të rinovuar kontratat e tyre përkatëse. Marrëveshja aktuale e mbrojtësit skadon në verën e 2024-tës, kurse ajo e mesfushorit, në verën e 2025-tës.