Neymar tashmë e ka marrë një vendim mbi largimin nga PSG

Sport

Situata e Neymar komplikohet çdo ditë e më shumë dhe pavarësisht dëshirës apo profesionalizmit të PSG për të zgjidhur këtë çështje, lojtari vijon me deklarata e tij kontraverse. Neymar është takuar së fundmi edhe me drejtorin e PSG, Leonardo, i cili është përpjekur ndoshta për herë të fundit që t’i ndryshojë mendjen lojtarit e ta bindë të vijojë aventurën tek kampionët e Francës. Por pavarëisht këtyre përpjekjeve, mediat raportojnë se Neymar i ka kërkuar haptazi Leonardos largimin nga PSG brenda kësaj merkatoje verore. Duke kujtuar fjalët e presidentit Al-Khelaifi se nëse një lojtar do të kërkonte largimin, atëherë klubi nuk do ta pengonte, Neymar ka kërkuar t’i japë një drejtim tjetër të ardhmes së tij, me Barcelonën që mbetet destinacioni më i mundshëm për të.

Fillimisht u përfol se një rritje e pagës mund ta bindte Neymar të vijonte të luante në ‘Parc des Princes’, por klubi francez nuk ka ndërmend të bëjë diçka të tillë, pasi aktualisht Neymar është mes 3 futbollistëve më të paguar në planet. Mbetet për t’u parë nëse braziliani do të ndryshojë mendim apo jo, pasi edhe tek Barcelona, situata mund të jetë komplikuar disi pas ardhjes së Antoine Griezmann. Në rast se konkretizohet një largim i Neymar, edhe tek PSG do të rifuten në merkato për të gjetur një zëvendësues të denjë të numrit 10, ku alternativat për parizienët në tregun europian nuk mungojnë.