Nga Alisson tek Willian, të fundit nga merkato

Sport

alisson becker
SkySport në Itali ka raportuar se Liverpool ka ofruar 70 milionë euro për portierin Alisson Bekcker, edhe pse Roma kërkon 75 milionë euro për të. Por burime pranë klubit anglez, duket se kanë mohuar të jetë bërë ofertë. Madje është shkuar deri aty sa të deklarohet se Liverpooli nuk ka plane për Alissonin. Që prej fillimit të këtij viti, “Reds” janë përfolur për blerjen e gardianit brazilian, për shkak të formës së dobët të treguar nga dyshja Loris Karius dhe Simon Mignolet. Në vazhdim duhet parë nëse Liverpool do të heqë përfundimisht dorë nga braziliani i portës, për të cilin në orët e fundit është regjistruar një ndërhyrje nga Chelsea i Sarrit. Kjo duke parë se Tibout Courtois me shumë mundësi do të transferohet tek Reali. Spanjollja “AS” ka raportuar se portieri belg, që shkëlqeu në Botëror, kërkon të lëvizë nga Londra dhe prej ditësh është duke kërkuar shtëpi në Madrid. Midis klubeve nuk duket se ka ende një marrëveshje, por flitet për 35 milionë euro. Në një kohë kur mund të jetë Alisson, ai që do t’i hapte rrugën Courtois drejt kampionëve të Evropës.

wliiain
Sa i takon bluve të Londrës, ata mund të humbasin Willian. Në gjurmët e brazilianit gjendet Barcelona, që ofron 60 milionë euro dhe duket se është mjaft optimiste për arritjen e një akordi me lojtarin. Anësori sulmues pritet të zërë një nga tri vendet në skuadër që janë të rezervuara për lojtarë jashtë BE-së, ndonëse katalanasit kanë në radhët e veta edhe Philippe Coutinhon, Yerry Minan dhe të sapoardhurin, Arthur Melo. Ka pasur raportime se Barça duhet të shesë qendërmbrojtësin Mina në verë për të liruar një vend, por në fakt pritet që së shpejti, Coutinho të marrë pasaportën portugeze, pasi nga ai vend ka bashkëshorten. Ndërkohë, shtohen mundësitë që Leonardo Bonucci të largohet nga Milani, teksa mediat thonë se ka kontakte intensive mes agjentit të mbrojtësit italian dhe Paris SG. Situata konfuze përreth klubit kuqezi ka detyruar kapitenin të vlerësojë opsionin parizien, aty ku do të bashkohej me mikun e tij, Buffon. Ndryshimi i pronarëve të Milanit pritet të sjellë edhe largimin e drejtuesve akualë Fassone-Mirabeli, e mbi të gjitha të trajnerit Gattuso, përderisa synohet Antonio Conte, i saposhkarkuar nga Chelsea.