Nisja e dobët e sezonit nga Lazio, trajneri Sarri mbyll skuadrën në dhomat e zhveshjes

Sport

Sezoni i ri futbollistik ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme për Lazion. Vetëm 4 pikë të grumbulluara në 5 javët e para dhe vendi i 15-të në renditje, janë të dhëna që është vështirë të besohen, teksa vetëm një vit më parë, kjo skuadër doli në vend të dytë, pas Napolit kryesues.

Ngjan gati-gati paradoksale, sepse të vetmen fitore që Lazio ka marrë këtë sezon, e ka arritur pikërisht ndaj Napolit në transfertë, teksa është mposhtur nga Leçe, Genoa, apo Juventusi, teksa në fund, barazuan 1-1 me Monzan në shtëpi.

Kalendari nuk mund të konsiderohet një justifikim për skuadrën e Maurizio Sarrit, që dukshëm nuk po sillet si një ekip nënkampion.

Kjo situatë, ka irrituar pafundësisht edhe presidentin e klubit, Claudio Lotito, i cili nuk është kursyer të kritikojë publikisht edhe trajnerin Sarri për mënyrën e vendosjes së lojtarëve në fushë, apo futbollistëve të cilët aktivizon.

Sikurse raportojnë mediat italiane, pas ndeshjes së fundit, barazimit 1-1 me Monzan, Sarri ka shkuar në dhomat e zhveshjes dhe është kyçur aty vetëm me futbollistët, duke kërkuar një shpjegim të asaj që po ndodh në këtë fillim kampionati. Problemi besohet të jetë psikologjik dhe jo teknik apo fizik. Të kaltërit po e vuajnë këtë moment dhe nuk kanë besim se mund të kthehen sërish në rrugën e rezultateve pozitive.

Në ndeshjen e ardhshme, kryeqytetasit, do të luajnë sërish në shtëpinë e tyre dhe këtë herë do të presin Torinon. Përpara tifozëve të pakënaqur, të cilët e vërshëllyen ekipin për rezultatin e fundit, fitorja është detyrim për Lazion. Nëse sërish nuk do të ketë reagim, atëherë trajneri Maurizio Sarri rrezikon stolin.