Një tjetër italian në Kombëtaren shqiptare

Sport

casseti marco
Një aventurë shqiptare për Marco Cassetti. Ish-lojtari i Romës në Seria A do të jetë zëvendës i Christian Panucci në stolin e kombëtares së Shqipërisë. Të dy do të puqen sportivisht për herë të parë, pas përvojës së përbashkët që kanë pasur pikërisht me fanelën verdhekuqe. Lajmi është bërë i ditur nga mediat italiane, por për cudi, ende nuk është zyrtarizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Vetëm dy vjet më parë, Casseti i dha fund karrierës si futbollist te Como, dhe tani është gati për këtë përvojë të re. Punën pritet ta nisë në fund të këtij muaji, atëherë kur kuqezinjtë e Kombëtares kanë në program dy miqësoret ndaj Kosovës dhe Ukrainës. 40-vjeçari është një njohje e vjetër e Panuccit pasi së bashku kanë luajtur te Roma për 3 sezone, nga 2006 deri në 2009-n. Gjithashtu në të kaluarën, ish-mbrojtësi i djathtë ka veshur fanellën e Veronës, Lecces, Udineses, Watfordit, për ta përfunduar karrierën e tij 2 vite më parë te Komo. Ai ka qenë pjesë edhe Kombëtares s Italisë, ku ka zhvilluar pesë ndeshje zyrtare gjatë fushatës eleminatore të Botërorit 2006.

casseti2
Cassetti do të zëvendësojë zëvendësin aktual të Panuccit, Paolo Rodolfi, i cili do të ketë rolin e vëzhguesit për zbulimin e talentëve të rinj për Kombëtaren shqiptare. Në këtë mënyrë shtohen italianët, në drejtimin e përfaqësueses sonë të futbollit, ashtu siç ndodhte pak a shumë edhe në epokën “De Biazi”. Tashmë, stafi i plotë teknik i kombëtares do të përbëhet përveçse nga Christian Panucci (trajner), edhe nga Cassetti si asistent, Alessandro Ciulini (përgatitës atletik), Luca Laurenti (zv.përgatitës atletik), Alarico Marco Rossi (videoanalist) si dhe Paolo Rodolfi (vëzhgues).