Përcaktohen sfidat e ‘Play-Off’, eleminohen emrat e mëdhenj…

Sport

Është mbyllur plot surpriza raundi i tretë kualifikues për në ‘Champions League’, çfarë përcaktoi edhe sfidat finale të fazës ‘play-off’ për këtë sezon.
Eleminimi i emrave të mëdhenj të futbollit kontinental ka qenë në qendër të vëmendjes, pasi Porto, Celtic apo edhe Basel nuk ja dolën të triumfonin përballë kundërshtarëve të tyre, ndonëse në letër ishin ndjeshëm favoritë.
Porto u mposht 3-2 në ‘Do Dragao’ nga rusët e Krasnodar, që përmbysën fitoren minimale të portugezëve në Rusi dhe kualifikohen më tej falë numrit të golave të shënuar jashtë fushe. Celtic kishte barazuar ndeshjen e parë kundër CFR Cluj, por në ‘Celtic Park’, kampionët e Skocisë u përmbysën në 3-4 nga skuadra rumune, që vijon rrugëtimin për më tej.


Baseli kishte humbur ndeshjen e parë ndaj LASK Linz dhe ndonëse pritej përmbysja nga ana e skuadrës së Taulant Xhakës, por nuk ndodhi kështu. Sfida u fitua nga ana e austriakëve 3-1 dhe kriza që po pëson Baseli në vitet e fundit vazhdon të thellohet.
Ajaksi arriti një kualifikim më shumë se dramatik nga grekëve të PAOK. Pas barazimit 2-2 në sfidën e parë, ‘harkëtarët’ iu falën plot 3 penalltive të akorduara nga gjyqtari, një prej të cilave Tadic e gaboi. Goli i PAOK në minutën e 94-t thjesht sa do të rriste tensionin, pasi holandezët triumfuan 3-2.
Në takimet e tjera, Olympiacos kaloi më tej pasi fitores 2-0 ndaj Basaksehir, ndërsa Dinamo Zagreb likuidoi 0-4 hungarezët e Ferencvaros. Crvena Zvezda u kualifikua më tej falë penalltive, duke qenë më të saktë se danezët e Copenhagen. Club Brugge u kualifikua pas barazimit dramatik 3-3 me Dynamo Kiev, ndërsa Rosenborg dhe APOEL përfunduan detyrën e nisur në takimet e para, duke eleminuar Mariborin dhe Qarabagun.

Në këtë mënyrë, janë përcaktuar sfidat e fazës ‘play-off’, ku do të diskutohen biletat e fundit për në ‘Champions League’. Dinamo Zagreb dotë përballet me Rosenborg, ndërsa CRF Cluj do sfidojë kampionët e Çekisë, Slavia Praha. Crvena Zvezdën e pret një përballje e vështirë me Young Boys. Ajaksi do të vijë si favorite ndaj qipriotëve të APOEL. Austriakët e LASK Linz do të provojnë një tjetër mrekulli ndaj Club Brugge, teksa Olympiacos do të përballet me rusët e Krasnodar. Sfidat e para të fazës ‘play-off’ do të zhvillohen më 20 dhe 21 gusht, ndërsa ato të kthimit një javë më pas. Të gjitha këto takime do të keni mundësi t’i ndiqni ekskluzivisht në kanalet e ‘Tring Sport’.