Piatek kërkon pak kohë, thotë se…

Sport

Krzystof Piatek nuk e ka gjetur ende rrugën e rrjetës në dy ndeshjet e para të ‘Serie A’, por sulmuesi i Milanit mbetet një nga profilet më të pëlqyer në rolin e tij. Polaku tashmë mban numrin 9 mbi shpinë dhe shumë tifozë e kanë parë këtë fanellë si një mallkim që nga largimi i Filippo Inzaghit. Megjithatë, Piatek këmbëngul se çdo gjë për të do të shkojë mirë dhe se dëshiron ta ndihmojë skuadrën me të gjitha forcat. Në intervistën e tij, ai është ndalur edhe tek trajneri Giampaolo, i cili po përpiqet t’i japë kuqezinjve një fytyrë të re. Piatek u shpreh se përshtatja me lojën e Giampaolos është diçka e vështirë, prandaj ai dhe skuadra kanë kërkuar pak kohë përpara se të vlerësohen për punën e bërë.


“Na duhet të përmirësohemi. Nuk është e thjeshtë të përshtatesh me lojën e Giampaolos. Ai po përpiqet të punojë me secilin prej nesh dhe deri më tani kemi mësuar vërtet shumë. Golat e mi do të vijnë, por rëndësi ka ecuria e skuadrës.”
Piatek mendon se blerjet e reja të Milanit mund të kenë një impakt të rëndësishëm në ecurinë e skuadrës, pavarësisht se mes tyre nuk gjen emra të mëdhenj. Sulmuesi polak këmbëngul se të gjithë po përpiqen të japin kontributin e tyre ndërsa në veçanti, Piatek foli me elozhe për Lucas Paqueta. Sipas tij, braziliani ka një potencial të jashtëzakonshëm, teknikë, cilësi dhe vullnetin për t’u bërë një nga më të mirët në botë. Pas humbjes kundër Udineses në ndeshjen e parë të sezonit, Milani fitoi në ‘San Siro’ kundër Brescias, falë golit të shënuar nga Hakan Calhanoglu.