Portugalia shkarkon trajnerin Santos, ja kush mund ta pasojë

Sport

Portugalia shkarkon nga detyra trajnerin Fernando Santos. Eliminimi surprizë i luzitanëve nga Kupa e Botës në raundin çerekfinal nga Maroku, padyshim që i lëkundi shumë pozitat e 68 vjeçarit. E në fakt nuk vonoi shumë dhe vendimi erdhi.

Santos, e mori drejtimin e Portugalisë në Shtator të 2014-tës. Vetëm dy vite më vonë, ai e udhëhoqi ekipin drejt një suksesi madhor, sikurse ishte triumfi në Euro 2016-të, duke mundur në finale një kundërshtar si Franca. Po ashtu, në 2019-tën, Portugalia arriti të fitonte edhe Ligën e Kombeve, duke mposhtur Hollandën.

Megjithatë, në Botërorin e Katarit, gjërat nuk shkuan aspak sipas pritshmërive për Santos dhe për Portugalinë e tij. Në raundin e 1/8-tave, ai vendosi që ndaj Zvicrës, të ulte në stol Cristiano Ronaldon, duke aktivizuar në vend të tij sulmuesin Goncalo Ramos.

Kjo lëvizje, që sipas Santos ishte vetëm taktike, shkaktoi shumë polemika, aqsa u përfol edhe për një krisje të marrëdhënies së tij me CR7, e në të njëjtën kohë nxori disi nga shinat edhe atmosferën në grupin e përfaqësueses portugeze.

Mirëpo Santos nuk hoqi dorë nga vendimi i tij. Ai vendosi që edhe ndaj Marokut, Ronaldo të ishte në stol. Gjithësesi, këtë herë, formula nuk funksionoi dhe Portugalia u eliminua, duke bërë që në fund, Santos të shkarkohej nga detyra.

Në kushte si këto, në Portugali kanë filluar të mendojnë për trajnerin e radhës. Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, bëhet fjalë për Jose Mourinho dhe Paulo Fonseca. “Special One” duket i joshur nga oferta, por në të njëjtën kohë duhet të zgjidhjë çështjen e kontratës që ka me Romën dhe që i përfundon në verën e 2024-tës.

Më tej, edhe Paulo Fonseca është një kandidat potencial për t’u emëruar në pankinën e luzitanëve, teksa aktualisht drejton skuadrën e Lille në Francë.