Boks, Kampioni i botës Billy Saunders rezulton pozitiv në testet antidoping

Sport

bosiiiss565
Tjetër rast dopingu në boks. Kampioni i botës në peshën e mesme në kategorinë WBO, Billy Joe Saunders ka rezultuar pozitiv me substancën e ndaluar “oxilofrine”, gjatë një testi antidoping vullnetar që ka bërë vetë sportisti para duelit që do të zhvillojë më 20 tetor ndaj amerikanit Demetrius Andrade. Bëhet fjalë për një substancë të ndaluar nga ‘Agjensia Botëore e Antidopingut’, ndërkohë që 29-vjeçari rrezikon të mos duelojë më 20 tetor, madje edhe të humbasë titullin pas një dënimi të mundshëm.
Substanca e ndaluar është një amfitaminë që zakonisht përdoret për të kuruar hypotensionin ose ndryshe presionin e ulët të gjakut. Ky medikament përdoret edhe në sport, por për kohë të shkurtra dhe sjell një rritje të shpejtë të prodhimit të adrenalinës si dhe rritje të oksigjenit në gjak. Në vitin 2013, me këtë substancë u gjetën edhe dy sprinterët e njohur, amerikani Tyson Gay dhe xhamajkani Asafa Powell, që u pezulluan respektivisht 12 dhe 18 muaj.
Ky nuk është aspak një moment i mirë për boksierin britanik, i cili pak ditë më parë u gjobit me 100 mijë paundë nga këshilli britanik i boksit për publikimin e një video fyese ndaj një gruaje. Gjithsesi, për këtë rast dopingu priten zhvillime të mëtejshme ditët e ardhshme për të mësuar nëse do të ketë dënime për sportistin dhe nëse sfida mes tij dhe amerikanit Andrade do zhvillohet apo jo.