Solskjaer i jep fund spekulimeve për largimin e Pogba…

Sport

Paul Pogba mendohej të ishte një ndër transferimet më të mëdha të merkatos verore, duke qenë se mesfushori francez në jo pak raste e kishte shprehur dëshirën për të luajtur diku tjetër. Megjithatë, kampioni i botës duket se do të vijojë të jetë pjesë e Manchester United.


Këtë e siguron trajneri Ole Gunnar Solskjaer, që kërkon t’i japë fund zërave që e shohin francezin të larguar nga ‘djajtë e kuq’. Real Madrid është përfolur si një nga skuadrat që ka shfaqur interes serioz për 26-vjeçarin, i cili gjithashtu intrigohet nga ideja për të luajtur me fanellën ‘los blancos’.


Por Solskjaer tashmë nuk shqetësohet më për këtë pjesë dhe thotë se është media ajo që i spekulon të tilla skenare, që e shohin Pogba larg ‘Teatrin të Ëndrrave’. Sipas Solskjaer, francezi mbetet një pikë e rëndësishme e projektit të klubit dhe në këtë fillim sezoni, mesfushori ka provuar se ka aftësinë të jetë një nga liderët e skuadrës.
Tashmë që merkato në hyrje në Angli është mbyllur, duket thuajse e pamundur që Manchester United të lejojë largimin e Paul Pogba. Mungesa e një zëvendësuesi të denjë për 26-vjeçarin bën që drejtuesit e ‘djajve të kuq’ të kthejnë prapa çdo interesim që mund të vijë në zyrat e tyre.
Kështu Solskjaer thotë se Pogba për të është një çështje e mbyllur dhe francezi do të vazhdojë të luajë me Manchester United, të paktën edhe për një sezon të tjetër. Ndërsa Real Madrid, me gjasa mund të shtyhet drejt objektivave të tjerë për mesfushën, ku ndër emrat më të përfolur janë Christian Eriksen i Tottenham dhe Donny van de Beek i Ajaksit.