Rusi-2018, sistemi VAR për herë të parë në nivelet më të larta të futbollit botëror

Sport

world cup 2018

Botërori rus do të jetë historik për shumë aspekte, por për më kryesorin do të jetë historik pasi për herë të parë në të tilla nivele, do të përdoret video-asistenca në ndihmë të gjyqtarëve. Kjo do të jetë prezent në të gjitha ndeshjet e botërorit dhe sipas një editoriali të BBC-së FIFA ka punuar fort që të mos ketë vend për polemika. Gjyqtarët do të bëjnë veprime me gjeste, ose thjesht duke shtrënguar me dorë mikrofonin për të treguar se po konsultohet me sistemin VAR. Në atë moment një panel prej katër gjyqtarësh i vendosur në Moskë do të shqyrtojë të gjitha pamjet që vijnë nga 33 kënde të ndryshme kamerash me opsine “super-slow” dhe “ultra-slow motion”. Ky do të jetë kulmi i përdorimit të këtij sistemi që pas ndërfutjes së VAR-it vitin e kaluar në Australi. Ndërsa debatet kanë qenë të shumta rreth problemeve të shfaqura për vonesa, apo mos-konsultime si duhet, një studim në Universitetin e Leuvenit në Belgjikë, ka nxjerrë se VAR-i ka rritur nga 93 deri në 98.8 përqind saktësinë në gjykim të arbitrave të futbollit, kjo duke marrë në konsideratë një mijë ndeshje ku është përdorur video-asistenca. Megjithatë kontestimet kanë qenë të shumta. Në Portugali një gol offside i Aves mbeti në lojë pasi një flamur gjigand pengoi kamerat dhe nuk u pa nga VAR-i. Në Gjermani në ndeshjen Mainz-Freiburg arbitri edhe pse kishte mbyllur pjesën e parë, i riktheu skuadrat në fushë pasi video-asistenca kishte pikasur një prekje me dorë. Momente të tilla cilësohen si tejet të bezdisshme nga sportdashësit dhe për këtë në Rusi po punohet fort që të shmangen, por nëse do t’ia dalin, apo jo, mbetet për t’u parë.