Atalanta kompleton blerjen më të shtrenjtë të historisë së klubit

Sport

El Bilal Torue mund të konsiderohet lojtari më i ri i Atalantës. Në pritje të zyrtarizimit, sulmuesi nga Mali është bërë pjesë e klubit nga Bergamo për vlerën e 28 milionë eurove, plus 3 të tjera në formën e bonuseve, ndërsa vizitat mjekësore do të kompletohen në vijimësi të javës. Me fjalë të tjera, me “operacionin” që në total shkon 31 milionë euro, Toure është bërë lojtari më i shtrenjtë që Atalanta ka blerë ndonjëherë në historinë e saj.

Shërbimet e sulmuesit të qendrës, u siguruan nga klubi spanjoll i Almerias, atje ku shtatlarti i ofensivës luajti për vetëm një sezon dhe arriti të tërhiqte vëmendjen e klubeve të ndryshme të kontinentit. Ashtu sikurse për Atalantën, ishte blerja më e shtrenjtë, nga ana tjetër, edhe për Almerian, Toure ishte shitja më e shtrenjtë në historinë e klubit. Për transferimin e tij një vit më parë, andaluzianët paguan vetëm 8 milionë euro në drejtim të Reims, ndërsa shitja po kompletohet rreth katërfish më tepër, e po ashtu, Almeria do të zotërojë ende 15% të shitjes së kartonit të futbollistit, nëse një ditë, vjeçari largohet nga Atalanta.

Toure synon të ngjisë shkallë më të larta në karrierë, dhe transferimi tek Atalanta konsiderohet si lëvizja e duhur. Ashtu sikurse spanjollët e Almerias, edhe zikaltërit e Bergamos mund të shërbejnë mjaft mirë si trampolinë, që në të ardhmen, afrikani të bëhet pjesë e një klubi më të madh.

Blerja e Toure nga skuadra italiane, e ka një shpjegim; Rasmus Hojlund është duke bërë valixhet gati, e për këtë arsye, klubi e ka parë të arsyeshme të transferonte një tjetër sulmues në vend të tij. Për danezin interesohet Manchester United, që është gati të paguajë afërsisht 70 milionë euro. Atalanta kërkon më tepër, megjithatë, është mëse e mundur që palët të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe lojtarin në fjalë të zbarkojë në “Old Trafford”.