U largua nga United, De Gea mund të shkojë në një tjetër klub të madh europian

Sport

David De Gea mund të transferohet në radhët e Bayern Munich. Pasi u largua me parametra zero nga Manchester United, e ardhmja e portierit spanjoll është diskutuar pak, por zhvillimet e ditëve të fundit, mund ta dërgojnë spanjollin në “Allianz Arena”.

Për momentin, porta, është një ngërç që kampionët e Gjermanisë duhet të zgjidhin me patjetër. Manuel Neuer ende nuk është rikperuar siç duhet nga dëmtimi i rëndë i pësuar në edicionin e shkuar, pas frankturës që pësoi në këmbë gjatë kohës kur ishte me pushime.

Kurse, Yann Sommer duket më larg, sesa më afër qëndrimit tek Bayerni, ndonëse ka ende edhe një vit kontratë të vlefshme. Për zviceranin, supozohet një transferim i mundshëm tek Interi, duke qenë se prej andej është larguar Andre Onana.

Një mundësi për Bayernin, ishte edhe Alexander Nübel, por ky i fundit është bashkuar me Stuttgartin, pasi nuk preferon të jetë një portier rezervë. E në fakt, ky mund të jetë edhe shqetësimi i madh i De Geas, për një kalim të mundshëm në Gjermani.

Dihet që Manuel Neuer është titullari i padiskutueshëm i gjigantëve të Bundesligës, kështu që në momentin kur gjermani të riaftësohet plotësisht, atëherë do jetë ai komandanti i katërkëndëshit. Mbetet për t’u parë nëse De Gea mund ta pranojë stolin, apo jo, pasi largimi i tij nga Manchester United, ndodhi pikërisht për faktin se spanjolli nuk pranoi të kalonte në plan të dytë.

Po ashtu, një tjetër mundësi për portën e Bayernit është edhe Wojciech Szczesny, me polakun që mesa duket, nuk është më një pikë e fortë e Zonjës së Vjetër.