Presidenti i Barcelonës, Laporta: Kemi skuadër më të mirë sesa Real Madrid

Sport

Preidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka ndezur “El Clasicon”, ende pa filluar sezoni i ri futbollistik. Numri një në “Camp Nou”, beson se klubi që ai drejton, ka një skuadër më të mirë sesa Real Madrid.

“Kemi një ekip më të mirë sesa Reali. Jemi në nivel më të lartë edhe në aspektin individual, e madje edhe në disa aspekte të tjera sesa rivalët tanë”, ka thënë fillimisht 61 vjeçari.

Më tej, presidenti ka folur me superlativa, edhe për skuadrën që është duke ndërtuar Barcelona, që synon të dominojë kampionatin spanjoll, për shumë sezone.

“Si një anëtar dhe një tifoz i klubit, jam i kënaqur me mënyrën se si po ndërtohet ekipi. Kemi fituar La Ligan, dhe duam të vendosim diktatin tonë për një kohë të gjatë në këtë kompeticion. Deri më tani kemi firmosur me Ilkay Gundogan dhe Inigo Martinez, të cilët do të na ndihmojnë shumë përgjatë sezonit. Do të ketë edhe përforcime të tjera. Kemi nevojë për një mbrojtës krahu dhe ndoshta, për të kompletuar diçka në mesfushë”, janë fjalët e presidentit.

Më tej, një çështje që është diskutuar jo pak në ambientin katalanas, është edhe rinovimi i kontratës së trajnerit Xavi Hernandez, me atë aktualen që përfundon në verën e 2024-tës. Në lidhje me këtë çështje, Laporta është shprehur se gjithçka do të zgjidhet me shumë kujdes dhe rinovimi nuk do të vonojë, por fillimisht duhet të përfundojë kompletimi i skudrës për sezonin e ri futbollistik.