Serie A, Inter, Simone Inzaghi ka si objektiv yllin e dytë për klubin

Sport

Simone Inzaghi ka marrë gjithë mbështetjen e nevojshme nga drejtuesit e Interit, për të vijuar projektin e nisur me klubin zikaltër. Trajneri 47-vjeçar ka nisur menjëherë punën për sezonin e ri, ku objektivat dhe pritshmëritë mbeten të larta. Padyshim që Interi përgjatë 2023/2024-ës do të përpiqet të luftojë për titullin kampion, që do të ishte i një rëndësie të veçantë për klubin milanez. Inzaghi e pranoi para mediave se synimi i tij dhe i gjithë ekipit, është të vendosë yllin e dytë në fanellën zikaltër. ‘Scudetto’ mbetet objektivi më i dëshiruar për momentin për Interin, që edhe pse bëri një sezon të shkëlqyer në ‘Champions League’, ku mbërriti deri në finale, ka ende rrugë për të bërë, në mënyrë që të renditet mes më të mirëve të kontinentit. Inzaghi është i vetdijshëm për këtë gjë dhe tekniku siguroi se të gjithë tek Interi po punojnë që të vazhdojnë rritjen e tyre hap pas hapi. Sipas tij, nëse skuadra do të vijojë të luajë me të njëjtin shpirt që treguan gjatë sezonit të kaluar, atëherë ai është i sigurt se gjëra të mira i presin në vitin e ardhshëm.

47-vjeçari u ndal edhe tek çështja e merkatos, ku foli për afrimet e reja dhe çështjen ‘Lukaku’. Ai i siguroi mediat dhe tifozët se merkato po ecën në simfoni të plotë mes stafit të tij dhe drejtuesve të klubit, ndonëse e pranoi se gjërat nuk janë aq të thjeshta, për shkak të shifrave të larta që po qarkullojnë gjatë kësaj vere. Frattesi dhe Thuram janë afrime me peshë, që Inzaghi mendon se mund të bëjnë diferencën, ndërkohë që Lukaku mbetet një figurë e rëndësishme e interit të tij. Sulmuesi belg mbetet ende në pronësi të Chelsea-t dhe Inzaghi u shpreh se çdo trajner do të donte të kishtë në organikën e ekipit një si ‘Big Rom’. Megjithatë, shumë situata në merkato janë më të ndërlikuara se sa paraqiten në media e për këtë arsye, Inzaghi kërkoi durim nga ana e tifozëve të Interit.