Lazio rikthehet tek fitorja në Serie A

Sport

Pas dy humbjeve të njëpasnjëshme, Lazio është rikthyer tek fitorja. Një gjë të tillë, kryeqytetasit e kanë bërë ndaj Sassuolos në shtëpi, me rezultatin 2-0, në javën e 33 të Serie A.

Pasi VAR-i i anulloi një gol Çiro Immobiles në minutën e 7-të, në të 14-tën, Felipe Anderson kaloi të kaltërit në epërsi. Pas këtij momenti, Lazio do të mbetej në epërsi, por rezultati mbeti gjithashtu i diskutueshëm. Duhet të vinte minuta e 92 që fitorja të vulosej. Ishte pikërisht mesfushori kroat Toma Basic ai që e dërgoi topin në fundin e rrjetës, e që i bëri të kaltërit të merrnin frymë lirisht.

Duke marrë parasysh konkurencën me ekipet e tjera, duhet thënë se sezoni i Lazios në Serie A është për t’u duartrokitur. Në këtë mes, merita absolute i takon trajnerit Maurizio Sarri, i cili ka ditur t’i marrë maksimumin grupit që ka në dispozicion dhe pa shumë investime në merkato.

Me 52 gola të shënuar, Lazio ka një ndër sulmet më produktivë të Serie A. Mirëpo, pika e fortë e ekipit të kaltër, është mbrojtja. Me vetëm 24 gola të pësuar, Lazio, ka mbrojtjen e dytë më të mirë të kampionatit. Vetëm Napoli me 2 gola më pak të pësuar ka pësuar ndodhet në vendin e parë në këtë aspekt.

Të gjitha këto karakteristika, bëjnë që Lazio të renditet në vendin e 2-të në kuotën e 64 pikëve, një më tepër sesa Juventusi që ndjek nga pas. Në ndeshjen e ardhshme, Lazio do të vizitojë Milanin në “San Siro”, një sfidë që pritet të jetë shumë vendimtare sa i takon garës për një vend në Champions League për sezonin e ardhshëm.