Bebe Rexha rrëfehet për ‘Rolling Stone’: “Burrat shqiptarë hanë dhe flasin para grave”

Showbiz

Gjithkush flet apo shkruan për të! Për momentin, ajo është një nga yjet që rrezaton më shumë dritë në botën e muzikës. Në një intervistë të fundit për revistën e famshme amerikane, ‘Rolling Stone’,  Bebe Rexha, ka folur mbi karrierën dhe jetën e saj dhe sigurisht tema kryesore ka qenë ‘albumi i ri’ “Bebe”, lançuar vetëm para disa ditësh. Por përveç kësaj, revista ka trajtuar edhe temën e prejardhjes së artistes deri në pierdestalin e suksesit dhe famës. Ajo ka rrëfyer për revistën historinë e zhvendosjes së familjes së saj nga Maqedonia e Veriut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mes të tjerash, këngëtarja rrëfente se vinte nga një familje emigrantësh me zakone strikte. “Të dy prindërit e saj janë shqiptarë. Babai i saj emigroi nga Maqedonia e Veriut drejt SHBA-ve, në moshën 21 vjeçare në fund të viteve tetëdhjetë, para Luftërave Jugosllave”, shkruhej mes rreshtave të ‘Rolling Stone. Nëna e saj ka lindur në SHBA, por gjyshërit e Rexhës nga nëna kanë emigruar nga Evropa në kërkim të “një jete më të mirë”, vazhdonte shkrimi. “Ata janë paranojakë dhe të stresuar”, është shprehur Rexha për familjen e saj në artikullin e realizuar nga revista. “Ndjehem sikur i kam marrë disa nga ato cilësi nga familja ime, por duhet të mësosh edhe se si të tërhiqesh nga kjo. Askush nuk flet kurrë për traumën e brezave”, duket se është shprehur këngëtarja.

Rexha e kanalizoi kulturën e saj në një mënyrë artistike, përmes njërës  nga këngët e albumit “Bebe”, e titulluar “I Am”, të cilën e kompozoi pasi Gjykata e Lartë mori vendim për ndalimin e abortit në Amerikë. Duket se ky vendim e bëri atë të mendojë për rrënjët e saj dhe mizogjeninë e rrënjosur që ajo sheh në kulturën shqiptare.“Mos më keqkuptoni, unë e dua kulturën dhe prejardhjen time dhe e urrej të më pyesin nëse më pëlqen fakti që jam shqiptare apo jo, por ndonjëherë më duket sikur gratë trajtohen si qytetare të dorës së dytë në vendin tim”, ishte shprehur Rexha për intervistën. “Burrat hanë dhe flasin të parët. Gjithçka ka të bëjë me burrat dhe më pas shfaqen gratë”. Nëse dua të dëgjoj diçka që më bën të ndihem e fuqishme dhe t’i këndoj me zërin e shpirtit, atëherë është kënga ‘I Am’ e albumit tim të ri”, ka përfunduar këngëtarja rrëfimin  e saj pëe prestigjozen ‘Rolling Stones’.