NBA, LA Lakers, LeBron James përjashton sërish mundësinë e tërheqjes

Sport

LeBron James do të luajë në NBA në sezonin e tij numër 21 në karrierë. Ylli i Los Angeles Lakers nuk ka ndërmend të ndalet dhe ka konfirmuar se do të jetë në parket në nisjen e sezonit të ri, duke përjashtuar edhe njëherë tjetër mundësinë e tërheqjes nga sporti që i ka dhënë gjithçka. James është shprehur se ndihet në formë të mirë fizike dhe gati për sfidat e reja, me objektivin për të udhëhequr skuadrën kaliforniane drejt titullit kampion. Tashmë 38-vjeçar, James kishte dhënë disa sinjale se mendonte tërheqjen, pas eleminimit të turpshëm, 4-0 nga skuadra e Denver Nuggets në fazën ‘playoffs’. Por pasi ka marrë kohën e nevojshme, LeBron ka paralajmëruar se do të rikthehet sërish në parket, gati për të dhënë gjithçka për të mbërritur tek trofeu “Larry O’Brien”. Kështu, ai bëhet vetëm lojtari i gjashtë në historinë e NBA që do të luajë në sezonin e tij numër 21 në elitën e basketbollit, teksa diçka të tillë e kanë bërë vetëm emra si Dirk Nowitzki, Kevin Garnett, Robert Parish, Kevin Willis dhe Vince Carter, më këtë të fundit që mban edhe rekordin me 22 sezone në NBA. Ndërkohë James përsëriti se nuk është në ndjekje të rekordeve apo arritjen e shifrave të caktuara në aspektin personal, por thjesht do të përpiqet të jap më të mirën e tij për të udhëhequr Los Angeles Lakers drejt një tjetër sezoni, ku objektiv mbetet titulli. Ai e pranoi se ky mbetet një mision shumë i vështirë, për shkak të konkurencës së lartë, sidomos në ‘Konferencën e Perëndimit’, mëgjithatë kalifornianët do të përpiqen të thonë fjalën e tyre. James po ashtu u shfaq optimist sa i përket lëvizjeve të bëra deri më tani nga ana e drejtuesve të Lakers në merkato. Edhe pse ka ende shumë gjëra për të përmirësuar, LeBron është i bindur se Lakers i kanë të gjitha mundësitë për të bërë më mirë se sa sezonin e shkuar. LeBron James është pjesë e NBA që nga 2003-shi, kur Cleveland Cavaliers e përzgjodhën të parin në ‘Draft’-in e atij viti, me djaloshin nga Ohio që numëron 4 tituj kampion të fituar në karrierën e tij deri më tani.