PSG merr trofeun e parë të sezonit, kampionët e Tuchel udhëhiqen nga Mbappe

Sport

 

Skuadra e PSG ka arritur të sigurojë trofeun e parë për sezonin e ri teksa
mposhtën me përmbysje 2-1 skuadrën e Rennes, për Superkupën e
Francës. Të besuarit e Thomas Tuchel morën revanshin e humbjes në
finalen e kupës në sezonin e shkuar, një triumf ky që vlen shumë për
moralin e skuadrës kampione të Francës, pas luftës së hapur me atë që
konsiderohej si ylli më i madh i kësaj skuadre, Neymar. Në fakt,
pikërisht në ndeshjen e Superkupës, PSG tregoi sërish se mund të fitojë
edhe pa brazilianin, me Kylian Mbappe që duket se ka marrë rolin e
liderit. Kampioni i botës bëri një tjetër performancë të madhe dhe shënoi
në minutën e 57 të takimit, duke barazuar golin e Honou, i cili i kishte
dhënë përkohësisht avantazhin Rennes në fillimin e pjesës së parë. Goli i
përmbysjes dhe njëkohësisht i triumfit do të realizohej në të 73-ën
minutë, pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar në mënyrë të shkëlqyer
nga Angel Di Maria. PSG fiton Superkupën e Francës për herë të shtatë
radhazi, duke thyer rekordin e Lyon-it, që e kishte fituar këtë trofe për 6
sezone radhazi nga viti 2002 në 2007-ën. Në shkallët e stadiumit, për të
parë këtë triumf të PSG ishte edhe Neymar, që vijon të përflitet rreth të
ardhmes së tij, ndërsa ka edhe nga ata që thonë se edhe prezenca e tij në
Kinë ka ardhur pasi braziliani është detyruar nga drejtuesit e klubit.