RAMADANI NE ORBITEN E LEÇES

Sport

Ylber Ramdani ka tërhequr vëmendjen në Serinë A dhe mund të përfundojë në radhët e Lecces. Palët raportohet se kanë hyrë në bisedime, ndonëse detaje konkrete nuk bëhen të ditura. Kurse nga Skocia mësohet se Aberdeeni ende nuk ka marrë një propozim zyrtar për lojtarin e Kombëtares shqiptare. 27-vjeçari, q ka një kontratë deri në 2025-n, ka shkëlqyer me skocezët në sezonin e fundit duke u kthyer në një “digë” përpara mbrojtjes. Performancat e mira mund t’i garantojnë atij të luajë në një nga 5 kampionatet më të forta të botës. Futbollisti i kombëtares shqiptare mbylli një sezon të shkëlqyer në kampionatin skocez, me skuadrën e Aberdeen, forcë e tretë e kampionatit pas Celtic e Rangers. Mirëpo, tani është gati për një tjetër hap të madh në karrierë, teksa vlera e tij aktuale në treg është 800 mijë euro. Në sezonin që lamë pas, në 44 ndeshje, Ylber Ramadani shënoi 1 gol si dhe dhuroi 3 asist.

Nëse realizohet gjithcka, atëherë do të ishte një rrugëtim pak a shumë i ngjashëm me atë të Amir Rrahmanit i cili gjithashtu shpërtheu te Partizani në Superiore e më pas gradualisht shkoi në një nga kampionatet më të fortë të futbollit, pra në Serinë A italiane, te Napoli. Ramadani në 2017 la Partizanin për t’u bashkuar me Vejle në Danimarkë dhe më pas me MTK Budapest në Hungari. Prej verës së 2022, Ylberi është pjesë e skocezëve të Aberdeen dhe sezonin që u mbyll luajti thuajse të gjitha ndeshjet, duke qenë lojtari kuqezi me më shumë minuta në këmbë. Pritet me mjaft interes se si do të përfundojnë bisedimet mes dy klubeve teksa dëshira e lojtarit është që të bëjë kërcimin e shumëdëshiruar nga të gjithë lojtarët në karrierën e tyre.