Ramos, ironik pas akuzave për dëmtimet e Salah dhe Karius

Sport

ramos

Sergio Ramos nuk duron më që të konsiderohet si “i keqi dhe i urryeri” i finales së Champions Leagues. Mbrojtësi i Realit të Madridit ka përfunduar nën akuzë për aksionin që solli dëmtimin e Mohamed Salah, i cili u detyrua të dalë nga loja pas 30 minutash. Nga grumbullimi i Spanjës që po përgatitet për Botërorin në Rusi, vetë Ramos ka folur më në fund mbi episodin më të diskutuar të javëve të fundit: “Nuk kam dashur të flas, sepse u zmadhua gjithçka. Por nëse e shihni mirë është ai që kap i pari krahun tim. Dhe unë bie nga njëra anë, kurse ai dëmtohet në shpatullën tjetër. E ekzagjerojnë, duke thënë që i bëra një kapje xhudoje…”, është justifikuar lojtari i “Los Blancos”. Ai gjithashtu ka zbyuluar se i ka dërguar mesazhe egjiptianit, i cili e kishte siguruar se ishte mirë. Mirëpo, spanjolli ka aluduar edhe që nëse do të kishte bërë një injeksion, atëherë Salah mund të kishte luajtur në pjesën e dytë.

salah

“Por ja që kur Ramos bën një gjë të tillë, atëherë e sulmojnë më shumë. Nuk di nëse njerëzit të shohin në mënyrë tjetër, vetëm sepse je tek Real Madridi prej vitesh. Dhe fiton prej kaq shumë kohësh…”, është shprehur mbrojtësi, me ton polemik. Por sikur të mos mjaftonte kaq, në orët e fundit, Ramos është cilësuar edhe si përgjegjës i gafave të portierit të Liverpulit, Loris Karius. Sipas disa mjekëve na Bostoni, gjermani duhet të ketë pësuar një dëmtim cerebral, pas një përplasjeje me mbrojtësin spanjoll. Në këtë rast, Ramos nuk e ka kursyer ironinë: “Tani që edhe portieri ka thënë se mbeti i tronditur pas një përplasjeje me mua, mungon vetëm që Firmino të dalë dhe të thotë se pati një ftohje, për shkak se i ra një pikë nga djersa ime…”, përfundoi Ramos.