Reagimi në kohë i Interit, skuadra zikaltër me sytë nga finalja e Champions League

Sport

Interi reagoi pikërisht atëherë kur duhej. 10 fitore në 11 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, është një tregues I qartë se skuadrës e Simone Inzaghit po ecën në shinat e duhura dhe është gati për ndeshjen më të madhe të sezonit dhe një ndër më të rëndësishmet e historisë së klubit, finalen e madhe të UEFA Champions League në 10 Qershor në Stamboll. Pasi siguroi Kupën e Italisë, për të dytin vit radhazi, ndaj Atalantës, Interi siguroi gjithashtu matematikisht edhe pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Champions League për edicionin e ardhshëm, falë asaj fitoreje 3-2 ndaj ekipit bergamask.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Edhe një herë tjetër, Interi fitoi mbi shpinën e Lautaro Martinez dhe Romelu Lukakut, të cilët pas shumë kritikave, janë rikthyer në versionin e tyre më të mirë. Ndaj Atalantës, dyshja në fjalë, gatoi golin e parë ende pa u mbyllur një minutë lojë, me argjentinasin që asistoi, ndërsa belgu që finalizoi.

Ndërsa në të 3-tën, Nicolo Barella I dërgoi shifrat në 2-0, si për të konfirmuar formën e mirë që po kalon ekipi 19 herë kampion I Italisë. Për herë të fundit, që Interi kishte shënuar 2 goa në 3 minutat e para të një ndeshjeje në Serie A, kishte ndodhur në vitin e largët 1941, atëherë kur një gjë e tillë ndodhte ndaj Romës, me golat e Candiani dhe Demaria.

Të 3-tin e shënoi pikërisht Lautaro Martinez, ai që është edhe njeriu I momentit në organikën e Simone Inzaghit. Argjentinasi, është bërë kësisoj lojtari I 4 në 5 ligat kryesore të kontinentit që shënon të paktën 20 gola për të dytin sezon radhazi në kampionat. Diçka të ngjashme e kanë bërë vetëm Erling Haaland, Robert Leëandoëski dhe Kylian Mbappe.

Me Championsin tashmë të siguruar për sezonin tjetër dhe thuajse me të gjithë futbollistët në një formë optimale, Interi është gati për finalen e Stambollit ndaj Manchester Cityt. Duke marrë në konsideratë momentin e mirë të Lautaros dhe Lukakut, mediat përtej detit shkruajnë se është mëse e mundshme që Simone Inzaghi t’I besojë pikërisht dyshes së fjalë që nga minuta e parë, ndonëse për diçka të tillë është ende herët për të diskutuar. Sidoqoftë, deri atëherë, Interi do të vazhdojë përgatitjet intensive për të marrë sa më mirë masat ndaj kundërshtarit anglez.

Në Stamboll, Interi do të zbresë si ekipi mik në fushën e lojës, mirëpo mediat konfirmojnë se skuadra italiane do të luajë me fanellën e parë, atë zikaltër. Diçka e ngjashme ndodhi edhe në finalen e 2010-tës në Madrid, atëherë kur Interi triumfoi përballë Bayernit të Mynihut në suksesin e 3-të në Champions League. Për këtë arsye, me fanellën zikaltër të veshur, Interi shpreson që historia të përsëritet edhe këtë herë.