Zbuloni se cili do të jetë lojtari i ri i Atletico Madrid

Sport

Ditët e fundit është raportuar se talenti i Benfikës, Joao Felix, është shumë pranë një akordi me Atletico Madrid. 19-vjeçari ka një klazuolë prej 120 milionë eurosh në kontratën e tij me skuadrën portugeze dhe tek ‘los rojiblancos’ janë të gatshëm të paguajnë shumë e kërkuar nga Benfica. Joao Felix është përfolur si pasuesi i denjë i Antoine Griezmann, që ka lajmëruar largimin e tij nga Atletico prej disa javësh. Një transferim të mundshëm të Joao Felix e mirëpret edhe trajneri i skuadrës spanjolle, Diego Simeone.

Tekniku u shpreh se është në idealet e klubit për të angazhuar lojtarë të rinj e të talentuar, të cilët mund të zhvillohen gjithnjë e më shumë në radhët e Atleticos. Simeone shtoi se Joao Felix i ka treguar vlerat e tij gjatë sezonit që lamë pas dhe se për të është ndër lojtarët më premtues që ka aktualisht tregu europian. Për portugezin kanë shfaqur interes edhe shumë skuadra të tjera të mëdha, por Atletico vijon të jetë e favorizuar në angazhimin e 19-vjeçarit. Sipas Simeones, me largimin e shumë veteranëve, tashmë në skuadrën e tij ka më shumë hapësirë dhe lojtarët e rinj duhet të shfrytëzojnë momentin dhe të tregojnë vlerat e tyre. Joao Felix do të ishte nga ata që siç thotë Simeone, do të bënte diferencën dhe nga bashkëpunimi me Atleticon do të përfitonin të dyja palët.