Real Madrid, kontrata e Sergio Ramos mbetet pezull

Sport

Ndërkohë që futbolli i luajtur është i pezulluar për shkak të Covid-19-të, gjithashtu edhe disa prej çështjeve të brendshme që klubet kanë me lojtarët, për momentin kanë mbetur pezull. E tillë është edhe gjendja e Sergio Ramos. Mbrojtësit të Real Madrid i skadon kontrata në verën e ardhshme, ndërsa për momentin, ende nuk kemi një marrëveshje përfundimtare mes palëve për të vazhduar bashkëpunimin. Sipas mediave në Spanjë, negociatat kanë ngecur tek fakti, se Ramos kërkon një rinovim prej 2 sezonesh të tjera, kurse klubi i ofron vetëm një vit. Duket se kjo do të jetë edhe pika ku do të diskutohet më tepër. Kapiteni i Los Blancos është lojtari më i paguar në skuadër, pas Gareth Bale, ndërsa parashikohet që në kontratën e re, paga të mos jetë më e njëjtë, por të kemi një reduktim, për faktin se spanjolli tashmë është në moshën 34 vjeçare.  Sakaq, kujtojmë se së fundmi, të gjithë lojtarët e Real Madrid, kanë pranuar që të kenë edhe një reduktim nga 10 deri në 20% të rrogës së tyre në këtë periudhë pandemie. Në këto kushte, kur shumë çëështje kanë mbetur pezull, e tillë duket se është edhe ajo e Sergio Ramos. Kujtojmë që qendërmbrjtësi, është transferuar në Santiago Bernabeu në vitin 2005, e prej atëherë ka “korrur” mjaft suksese me bluzën e bardhë, ku veç të tjerash vlen të theksohet triumfi i 4 titujve në Champions League.