Real Madrid mund të jetë “përshëndetur” me titullin kampion

Sport

Real Madrid mund të jetë “përshëndetur” me titullin kampion. Në javën e 20-të të La Ligas, Los Blancos pësuan disfatën e 3-të sezonale  dhe të 2-tën në 5 ndeshjet e fundit. Këtë herë, ekipi I drejtuar nga Carlo Ançelotti, u mposht me rezultatin minimal 1-0 nga Mallorca në transfertë, me një gol që mund të konsiderohet si vetë-ndëshkim, për shkak se Nacho Fernandez realizoi autogol në portën e tij në pjesën e parë.

Në të dytën, madrilenët e patën mundësinë të riktheheshin në lojë, por Marco Asensio gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.

Për të kuptuar lojën e dobët të Realit, mjaftojmë të përmendim këtu që pikërisht penalltia e Asensios, ishte e vetmja gjuajtje në portë përgjatë gjithë 90 minutëshit. Nuk ndodhte që nga viti 2008-të që Real Madrid të kishte vetëm një gjuajte në drejtim të katërkëndëshit përgjatë një ndeshjeje të kampionatit.

Në këtë transfertë, kampionët në fuqi të Spanjës, treguan edhe një herë tjetër varësinë totale nga kapiteni Karim Benzema, I cili mungoi për shkak të një problemi fizik.

Në rrethana të tilla, me këtë rezultat, skuadra e drejtuar nga Carlo Ançelotti, mund të jetë përshëndetur me titullin kampion. Në 20 javë, Reali ndodhet në vend të 2-të në kuotën e 45 pikëve, 8 më pak sesa Barcelona kryesuese.

Skuadra katalanase arriti të fitonte edhe ndaj një kundërshtari të komplikuar si Sevilla, me rezultatin 3-0 në “Camp Nou” dhe vijon në këtë mënyrë ecurinë fantastike në kampionat.