Real Madrid ofron 50 mln euro për lojtarin e Villarreal

Sport

Mjaftoi një ndeshje e mirë e tij në “Santiago Bernabeu” me dy gola të shënuar, dhe Real Madrid ka nisur të interesohet menjëherë për lojtarin e Villarreal. Fjala është për Samuel Chukwueze. Anësori i sulmit, ka qenë edhe më herët pjesë e planeve të kampionëve të Spanjës, mirëpo për një periudhë të caktuar kohe, çështja mbeti pezull.

Gjithësesi, paraqitja pozitive e 23 vjeçarit përpara publikut të Los Blancos, ka tërhequr edhe një herë tjetër vëmendjen e drejtuesve të klubit madrilen. Sikurse raportojnë mediat në Spanjë, Real Madrid është gati të ofrojë 50 mln euro për të siguruar shërbimet e Chukwueze, kontrata e të cilit me Villarrealin është e vlefshme deri në verën e 2024-tës.

Megjithatë, për Realin nuk parashikohet të jetë aspak e lehtë që ta transferojë futbollistin në fjalë në “Santiago Bernabeu”, sepse për nigerianin ka oferta të ndryshme edhe nga Anglia. Një transferim tek Reali, do të thotë më pak minuta në këmbët e lojtarit, sepse duket shumë e vështirë që ai të luajë titullar në formacionin madrilen.

Për këtë arsye, lojtari mund t’i vlerësojë më mirë ofertat nga ishulli, për t’u transferuar në një klub, ku të ketë të garantuar vendin e titullarit. Sidoqoftë, gjithçka mbetet për t’u qartësuar në vijimësi.

Samuel Chukwueze është një product i akademisë së Villarreal, klub me të cilin, sulmuesi ka luajtur 197 ndeshje në të gjitha garat dhe numëron 37 gola dhe 31 asiste.