Real Madrid rikthehet tek fitorja dhe ngushton diferencën me Barcelonën

Sport

Pas dy ndalesave të njëpasnjëshme në kampionat, Real Madrid është rikthyer në rrugën e fitoreve. Në javën e 14-të të La Ligas, Los Blancos u vizituan nga Cadiz në shtëpi. Sfida e luajtur në “Santiago Bernabeu”, përfundoi me rezultatin 2-1 për të zotët e shtëpisë.

Do të duhej të vinte minuta e 40-të, që Reali të kalonte në avantazh me anë të mbrojtësit Eder Militao. Ky ishte goli i 7-të i Militaos që realizon me fanelën madrilène në të gjitha kompeticiont. Çdo finalizim, braziliani e ka shënuar me kokë, ndërsa goli ndaj Cadiz ishte i dyti radhazi, pas atij të shënuar në javën e 13-të, ndaj Rayo Vallecano.

Në pjesën e dytë, në minutën e 70-të, Toni Kroos realizoi një gol fantastic nga distana. Më pas, Real Madrid shpërdoroi një mundësi mjaft të mirë për të shënuar edhe golin e 3-të, por Luka Modriç nga fare pranë dhe me portën thuajse të boshatisur, nuk arriti ta dërgonte topin në fundin e rrjetës.

Nga një moment i tillë do të kalonin vetëm pak minuta, ku edhe një herë tjetër, do vërtetohej rregulli i pashkruar i futbollit, që nëse nuk shënon, atëherë do pësosh. Në minutën e 81, i ardhur nga stoli, Lucas Perez shënoi për skuadrën e Cadiz, duke shkurtuar diferencën dhe duke ngjallur pasiguri në çastet e fundit në shkallët e “Santiago Bernabeut”. Megjithatë, pas fërshëllimës së 3-fishtë, Reali ia doli të fitonte, duke u ngjitur në këtë mënyrë në vendin e 2-të në kuotën e 35 pikëve, 2 më pak sesa Barcelona që mban vendin e parë.

Pasi në ligë janë zhvilluar 14 javë, kampionati spanjoll tashmë ia ka lënë vendin pauzës së Botërorit, ndërsa La Liga do rifillojë përsëri në ditët e fundit të vitit.