Reali, “Tortura de Vallecano” pas me shume se 50 vitesh

Sport

gareth-bale-cristiano-ronaldo

 

“Tortura de Vallecano”, kështu e kanë cilësuar mediat spanjolle ndeshjen përballë Realit të Madridit në Bernabeu, të përfunduar 10-2. Eshtë e vështirë për t’u thënë por rezultati është disi i gënjeshtërt, kjo pasi në minutat e para Vallecano arriti ti vërë në vështirësi madrilenët, pasi mundi të përmbysë golin e Danilos në vetëm dy minuta. Por kryesimi zgjati deri në minutën e 25-të, kur Bale barazoi dhe arbitri Ignacio Iglesias Villanueva e la Vallecanon me 9 lojtar, pas daljes me të kuq të Titos dhe Baenas. Me dy lojtarë më pak Reali e kishte tejet të lehtë të përmbyste jo vetëm rezultatin por edhe të mos reshte së shënuari. Në fund shifrat u ndalën në 10-2. Bale shënoi 4 gola, Benzema 3, Ronaldo 2 dhe një gol shënoi gjithashtu edhe Danilo. Për Rafa Benitezin, që nuk është se po kalon një periudhë të rehatshme në Madrid, ky është një tjetër rezultat tenistik pas 8-0 të arritur me Malmon në Champions. Ndërkohë për të gjetur një rezultat edhe më të mirë për historinë e Realit, duhet shkuar në vitin 1960-të kur madrilenët mundnin Elchen 11-2. Interesant është fakti se vetëm në ndeshjen e së dielës Los Blancos arritën të shënonin më shumë gola se Malaga që në 16 ndeshje ka gjetur rrjetën vetëm 9 herë. Me ketë ndeshje skuadra e Benitez shfryn dufin e mbledhur nga presionet mediatike, duke vazhduar përpara në kërkim të formës më të mirë.