Realit i rikthehet Karim Benzema, por i dëmtohet një tjetër veteran

Sport

Karim Benzema rikthehet në stërvitje me Real Madrid. Francezi ka lënë pas dëmtimin e pësuar në ndeshjen ndaj Celtic në Champions League. Pas një mungese prej 3 javësh ë gjysmë, francezi është bashkuar edhe një herë tjetër me skuadrën.

“Ndihem i lumtur që jam rikthyer dhe jam bashkuar sërish me skuadrën. Pata kohë të mjaftueshme për të zhvilluar një fazë të plotë përgatitore. Ndihem gati dhe jam i përqendruar në ndeshjen e fundjavës”, ka thënë ndër të tjera kapiteni i Realit.

Ndonëse ka shënuar 4 gola në 6 ndeshje të luajtura këtë fillim sezoni, Benzema e ka pranuar se nuk ka qenë në formën e tij më të mirë fizike, për shkak se u rikthye me vonesë nga pushimet, e si pasojë nuk e zhvilloi të plotë fazën përgatitore.

Por, teksa një veteran i Realit është rikuperuar, një tjetër është dëmtuar. Këtu fjala është për Luka Modriç. Kroati i luajti të dyja ndeshjet e fituara në Nations League me përfaqësuesen e tij, atë ndaj Danimarkës dhe Austrisë. Si pasojë 37 vjeçari ka një mbingarkesë muskulore, që do të thotë se nuk do jetë i gatshëm për Real Madrid për një periudhë 10 ditore.

Mesfushori pritet të mungojë ndaj Osasunas në kampionat dhe Shakhtar Donetsk në Champions League. Numri 10 në “Santiago Bernabeu”, do kthehet për duelin ndaj Getafes, çka do të thotë se do jetë tërësisht në formë në përballjen ndaj Barcelonës një javë më pas.