Rey Manaj gjen golin, por Albacetes nuk i mjafton

Sport

rey
Fakti që bëri 6 mijë km për të luajtur vetëm 24 minuta ndaj Skocisë, nuk i kishte pëlqyer mediave spanjolle, që shfaqën pakënaqësinë e tyre për udhëtimin thuajse të pavlefshëm të Rey Manajt për t’iu përgjigjur thirrjes së Kombëtares shqiptare. Mirëpo, kjo nuk ka ndikuar te vetë sulmuesi i kuqezinjve, që ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës në rikthimin e tij me Albacete. Në takimin e së enjtes, që skuadra ku luan ai humbi 3-2 nga Lugo, Manaj arriti të shënonte golin e dytë të Albacete në minutën e 3-të shtesë, por pa arritur të shmangë disfatën dhe eliminimin nga Kupa e Spanjës. Gjithsesi, në planin personal, mund të thuhet se sulmuesi 21-vjecar po kthehet në protagonist me ekipin spanjoll të Segunda Divsion, duke qenë se ka shënuar herë pas herë, duke realizuar edhe paraqitje pozitive.

rey manaj

Kjo është vërejtur edhe te besimi që ka marrë nga trajneri i skuadrës, i cili e ka aktivizuar në 3 nga 5 ndeshjet e zhvilluara deri tani në këtë sezon nga Albacete. Gjatë ditëve të kaluara në Kombëtare, u përfol edhe për një përplasje që ka pasur sulmuesi me trajnerin Panuçi, për çështjen e përdorimit të shpeshtë të Instagramit. Por ja që duket se këto fjalë nuk kanë ndikuar për keq në përqendrimin e 21-vjeçarit, kur vjen puna për të shënuar gola. Në dy ndeshjet me Kombëtaren, ai hyri në fushë vetëm gjysmën e pjesës së dytë në sfidën kundër Skocisë, ndërsa në fitoren ndaj Izraelit në Elbasan, sulmuesi nga Lushnja qëndroi në stol gjatë të gjithë 90 minutave.