Roma përshëndet De Rossin në ndeshjen e fundit si kapiten i saj!

Sport

Mijëra flamuj me inicialet e Daniele De Rossit, me plot emocione dhe lot në një stadium të tejmbushuir, Roma përshëndeti kapitenin e saj që e mbyll përfundimisht aventurën e tij si lojtar i verdhekuqëve pas 18 vitesh në Olimpico. Ndeshja me Parmën, e fituar 2-1, ishte e 616-ta për Danielen, i cili u nderua nga ultrasit me pankarta dhe mbishkrime të jashtëzakonshme. Ish-lojtarë të njohur si Buffon, Materazzi apo dhe trajneri i Italisë Roberto Mancini ishin gjitahshtu prezent, teksa të përlotur nga duartrokitjet e fundit u shfaqën edhe Claudio Ranieri apo edhe vetë ish-kapiteni Francesco Totti. “Ishe ultras në fushë ultras edhe jashtë saj, na përfaqësove për 18 vite, tashmë do të të përfaqësojmë ne ty” – ishte një nga mesazhet që vinte nga tifozeria.

Por teksa në stadium të gjithë e kishin mendjen te nderimi i tij, në rrjetet sociale vreri kundër Presidentit James Pallotta ishte i furishëm. Nga tifozët mënyra e largimit të De Rossit nuk është përtypur aspak. Ultrasit e akuzojnë Pallottën dhe Drejtorin Baldini si thjeshtë biznesmenë dhe aspak të apasionuar ndaj ngjyrave verdhekuqe. Klubi i ofroi De Rossit vetëm mundësinë e kalimit si zyrtar, pra praktikisht tërheqjen nga futbolli edhe pse vetë 35-vjecari është ndjerë gjithmonë ende në formë për ta vazhduar karrierën. Me drejtuesit që nuk iu afruan kurrë më për të diskutuar, De Rossi vendosi përfundimisht ta komunikonte se do të largohej pas ndeshjes me Parmën, ende nuk dihet se ku do luajë sezonin tjetër. Kështu pas largimit të Francesco Tottit, tifozët ndjejnë zhgënjim për faktin se një lojtar që dha gjithëçka për skuadrën si De Rossi, nuk mori atë që meritonte.