Romelu Lukaku “ngre” zërin që drejtuesit e Interit të dëgjojnë

Sport

Romelu Lukaku “ngre” zërin që drejtuesit e Interit të dëgjojnë. Pas fitores ndaj Empolit si protagonist, me dy gola dhe një assist, sulmuesi ka dhënë një mesazh në fjalët e tij dhe mesazhi është I qartë; belgu dëshiron të qëndrojë tek Interi edhe edicionin e ardhshëm futbollistik, e pse jo në mënyrë përfundimtare.

“Do të qëndroja me shumë dëshirë, por në një situatë të tillë, duhet treguar mjaft kujdes…sepse janë edhe gjëra të tjera që vendosin…Tani duhet të mbetem I përqendruar vetëm tek Interi”, ka cituar ndër të tjera shtatlarti I repartit të avancuar.

9 golat e Lukakut këtë edicion futbollistik në 26 ndeshje të luajtur në të gjitha kompeticionet, nuk I kanë bindur drejtuesit e klubit, për ta mbajtur edhe një tjetër vit në huazim lojtarin në fjalë. Të paktën këto kanë qenë fjalët e Drejtorit Sportiv, Giuseppe Marotta, që disa kohë më parë ka thënë se në mbyllje të këtij edicioni futbollistik, Lukaku do të rikthehet tek Chelsea. Kjo mendohet të jetë pikërisht arsyeja që edhe vetë Lukaku e shikon me dyshim qëndrimin në kampin zikaltër.

Nuk dihet nëse dy golat dhe një assist në ndeshjen e fundit me Interin në kampionat, mund ta ndryshojnë idenë e drejtuesve të klubit 19 herë kampion të Italisë, për ta mbajtur edhe një tjetër edicion 29 vjeçarin në formën e huazimit.

Gjithçka mbetet për t’u parë në vijimësi të sezonit, pasi Interi është në garë në dy gjysmëfinale të ndryshme, në Champions League dhe në Kupë, e kësisoj, Lukaku ka mundësi për ta dërguar skuadrën drejt sukseseve më madhore, çka mund t’I mundësonte atij qëndrimin në “San Siro”.