Real Madrid fiton, por dy dëmtime shqetësojnë ambientin madrilen

Sport

Real Madrid fiton me rezultatin 2-0 ndeshjen e prapambetur në La Liga ndaj Valencias, e vlefshme për javën e 17-të. Pas një pjesë të parë pa gola, djemtë veshur në të bardhë u mjaftuan me vetëm 2 minuta për të shënuar dy gola, në të 52-tën dhe në të 54-tën.

Si fillim ishte Marco Asensio me një gol të bukur nga distanca, ndërsa më pas ishte Vinicius Jonior ai që përshëndeti rrjetën e skuadrës valenciane.

Që të dy golat e Realit, u asistuan nga Karim Benzema. Në 12 ndeshjet e fundit, kapiteni i Los Blancos është përfshirë në 11 gola. Këto të dhëna janë një tregues se francezi po i rikthehet formës së tij të zakonshme.

Megjithatë, Topi i Artë, e mbylli sfidën në minutën e 60-të, për shkak të një problemi fizik, duke shkaktuar shqetësime në “Santiago Bernabeu”. Sidoqoftë, pas përfundimit të takimit, trajneri Carlo Anccelotti konfirmoi se lëndimi është shumë i lehtë dhe asgjë nuk është serioze.

Disi më problematike duket situata e Eder Militaos. Mbrojtësi brazilian e mbylli sfidën në minutën e 36-të dhe për të, Anccelotti tha se një përgjigje përfundimtare do mësohet ditën e diel, pasi të kryhen disa kontrolle të specializuara.

Me fitoren ndaj Valencias, Real Madrid është ngjitur në kuotën e 45 pikëve në vendin e dytë, 5 më pak sesa Barcelona kryesuese.