Ronaldo-Atletico, përplasja me tifozët vazhdon…

Sport

Juventusi shpërdoroi avantazhin prej dy golash në “Uanda Metropolitano”, duke u mjaftuar vetëm me një barazim 2-2 përballë Atleticos së Madridit, në ndeshjen e parë të grupeve të Champions League. Megjithatë ajo që tërhoqi më tepër vëmendjen ishte përplasja në distancë mes Kristiano Ronaldos dhe tifozëve të Atletiko Madrid. Një “luftë” e nisur që nga koha kur portugezi ishte pjesë e Real Madrid dhe shënonte me shumë rregullsi ndaj rivalëve të qytetit. Episodi më i fundit i kësaj beteje u regjistrua në ndeshjen e së mërkurës, gjatë të cilës juventini u vërshërllye sa herë që kapte topin. Dhe në minutat shtesë, CR7 pati një rast të shkëlqyer për të dërguar shifrat në 2-3, duke realizuar një sllallom mes 5 lojtarëve kundërshtarë, teksa lëshoi një gjuajtje, që për pak cm përfundoi jashtë portës. Po të kishte pasur pak më tepër saktësi, me siguri do të kishte qenë një nga golat më të bukur të historisë së futbollit.Në këtë moment, Ronaldo nuk kurseu përgjigjen kundrejt tifozëve të Atleticos, me një gjest me dorë që sic shpjegoi në zonën miks pas ndeshjes, donte të thoshte: “Mësoni, duhet të mësoni nga unë!”. Për herë të parë, ai nuk shënoi në një sfidë kundër “Los Colchoneros” që janë një nga viktimat e tij të preferuara pas 25 golave në 33 ballafaqime. Gjithsesi duket se e ka lënë takimin për sfidën e kthimit në Juventus Stadium.